Ndërmerret një operacion policor ndaj përgjuesve në Turqi

21.10.2014 15:47

Autoritetet turke kanë nisur një operacion të ri për arrestimin e zyrtarëve të lartë policorë, të dyshuar për përgjime në mënyrë të paligjshme të politikanëve.......

Në qendër të vëmendjes së këtij operacioni janë 18 zyrtarë të policisë në Ankara, duke përfshirë ish-kreun e Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, Omar Altiparmak, si dhe ish-zëvendësin e shefit të policisë në Ankara, Lokman Krcil.

Ky është aksioni i pestë i tillë që nga muaji korrik, ku dhjetëra ish-policë u arrestuan. Këtë operacion, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka karakterizuar si një luftë kundër "shtetit paralel" në kuadër të forcave të sigurisë, besnike të ish-aleatit të tij, ish-imamit Fetah Gulen, i cili gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Operacioni është lidhur me akuzat për korrupsion që kishin dalë në fund të vitit të kaluar kundër Erdoganit, si dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, të cilat u bazuan në përgjime.

Javë më parë, kujtojmë se prokurorët turk hodhën poshtë akuzat ndaj më shumë se 50 personave, duke përfshirë edhe dy bijtë e ish-ministrave, të cilët ishin akuzuar për korrupsion në bazë të përgjimeve.