Botë

Shqipëri, edhe 20 raste të reja pozitive në 24 orë

03.06.2020 14:16

20 persona të tjerë janë infektuar më Covid-19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit....

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rastet e reja janë shënuar në Tiranë, Durrës, Krujë dhe Kamëz. 4 prej të infektuarve janë personel shëndetësor.
 
“Në 24 orët e fundit janë kryer 297 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht 15 raste në Tiranë, 2 raste në Krujë, 2 në Durrës dhe 1 rast në Kamëz. Janë testuar 65 personel shëndetësor, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik. Në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve.”,- deklaroi drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami.
 
Informacionet e fundit nga Kosova kanë qenë për 13 të infektuar, duke e çuar në 1.123 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar 30 prej të cilëve kanë humbur jetën, ndërsa 847 nga të infektuarit janë shëruar. 
 
Kovid-19, mbi 6 milion e 455 mijë të infektuar në botë
 
Numri i personave që janë shëruar pas diagnostikimit me virusin Korona tashmë ka kaluar shifrën e tre milionëve. Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon informacionet më të fundit mbi pandeminë, deri më tani betejën me COVID-19 e kanë arritur ta fitojnë 3.068.482 persona. Në të gjithë botën, nga COVID-19 kanë humbur jetën 382.531 persona në mesin e të cilëve janë edhe mbi 600 infermiere që janë infektuar kryesisht në vendet e punës, ndërkohë numri i të infektuarve në nivel botëror ka arritur në 6.455.108 persona.
 
REJHANE BUSHI METAJ