Kosova me qeveri të re, Qeveria Hoti u votua në Kuvend me 61 vota “për”
Me 61 vota “për”, 24 “kundër” dhe një “abstenim”....

Me 61 vota “për”, 24 “kundër” dhe një “abstenim”, Kuvendi i Kosovës votoi qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.
Pjesë e qeverisë së drejtuar nga LDK janë edhe AAK, Nisma, Lista Serbe dhe minoritetet tjera. Përballja me pandeminë, rimëkëmbja ekonomike dhe dialogu me Serbinë do të jenë disa nga përkushtimet e kësaj qeverie, deklaroi në foltoren e kuvendit tanimë kryeministri, Avdulla Hoti.
“Ne që kemi mbi supe peshën e votës qytetare, jemi të obliguar të qëndrojmë krah njëri tjetrit jo për të promovuar interesa politike por për t’i dhënë demokracisë tonë një çlirim të ri. Kur kemi pranuar këtë sfidë jo të lehtë, por të paalternativë për të marrë drejtimin e qeverisë së Kosovës, jemi nisur nga nevoja për të mbrojtur liritë qytetare, rendin tonë demokratik dhe lirinë e të shprehurit pa qenë i linçuar. Jem nisur nga interesi shoqëror se demokracia duhet të avancoi drejt demokracive perëndimore e jo në drejtime të tjera. Jemi nisur nga nevoja që kanë qytetarët e Kosovës për stabilitet e siguri e jo për konfrontime ndërinstitucionale. Jemi nisur nga bindja jonë për gjithëpërfshirës, barazi, drejtësi e solidaritet e jo për përjashtim e stigmatizim. Jemi nisur nga interesi shoqëror e shtetëror që ka Kosova për të ruajtur miqësitë e ndërtuara me dekada.”,- tha kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti.
Kjo është qeveria e parë e Kosovës së pavarur që formohet pa partinë fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosje, deputetët e së cilës nuk ishin të pranishëm në seancën kuvendore për votimin e qeverisë Hoti, të cilën po ashtu refuzoi ta drejtojë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ndërsa para gazetarëve ka kundërshtuar ashpër qeverinë e re, duke thënë se e njëjta varet nga votat e Listës Serbe.
“Kjo qeveri varet nga votat e Listës Serbe. Votën e 61-të ia siguroi presidenti Thaçi në kundërshtim me rolin e tij kushtetues, dhe kjo qeveri nuk mund të jetë përfaqësuese e vullnetit qytetar. Familja ime politike asnjëherë nuk ka qenë as nuk do të jetë Hashim Thaçi. Familja ime politike janë qytetarët e Kosovës.”,- theksoi kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Shefi i krupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, e quajti qeverinë Hoti, qeveri të mashtrimit të dyfishtë, përkatësisht mashtrim i votuesve të LDK-së dhe partnerit të deritanishëm të koalicionit.
“Qeveria që ju po tentoni është rrjedhojë e mashtrimit të dyfishtë, e para kërkuat që doni ndryshim dhe së dyti na mashtruat neve. Është ilegale sepse vjen nga shkelja e Kushtetueses që vjen nga aktgjykimi i padrejtë i Gjykatës Kushtuese.”,- u shpreh Rexhep Selimi nga Vetëvendosje.
Qeveria Hoti nuk e ka as përkrahjen e PDK-së, kreu i së cilës foli me tone kritike edhe për qeverinë e deritanishme edhe për qeverinë e re.
“Premtuan shpresë e parajsë por sollën dëshpërim e varfëri për qytetarët. Në kohën më të rëndë të pandemisë dhe pasigurisë ekonomike, kryeministrit i doli punë me të gjithë dhe i shpërfilli të gjithë.”,- deklaroi kryetari i PDK-së, Kadri Veseli
Votimin e qeverisë së re e përshëndeti presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë dhe qytetarët e Kosovës.
“Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”,- ka shkruar Thaçi në profilin e tij në facebook.
Votimi i qeverisë Hoti u kundërshtua edhe nga disa qytetarë të cilët protestuan para kuvendit deri sa po mbahej seanca, në një protestë e cila nuk ishte organizuar nga Vetëvendosje, e cila megjithatë nuk i ka përjashtuar protestat për rrëzimin e qeverisë Hoti, e cila e pasoi qeverinë Kurti, pasi LDK vendosi të prish koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe pranoi mandatin për postin e kryeministrit që ia ofroi presidenti, Hashim Thaçi. (Gyltene Sinani, TVM2)
