Debat në kuvend për progres-raportin e KE-së
Raporti i Progresit u shtrua për debat edhe në Kuvendin e Republikës........

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi edhe një herë theksoi rëndësinë e përsëritjes së rekomandimit për fillimin e negociatave, pa anashkaluar vërejtjet e shumta që KE i ka shënuar në raport.
Sipas Besimit, raporti është udhërrëfyes, njëkohësisht paraqet obligim për qeverinë që të mënjanojë anomalitë e konstatuara nga Brukseli zyrtar.
“Raporti i Progresit i KE-së adreson disa çështje të rëndësishme në përmbajtjen e saj dhe këtu janë: dialogu politik, avancimi i lirisë së shprehjes, avancimi i pavarësisë dhe kompetencës në gjyqësi, me theks të veçantë mbi cilësinë e ndarjes së drejtësisë; reformat në Administratën Publike, adresimi i rekomandimeve të OSBE-së në reformën zgjedhore; përmirësimi i mirëbesimit në mes të komuniteteve etnike; fqinjësia e mirë etj”- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi
Sipas PDSh-së, vërejtja më shqetësuese e KE-së dhe gjenerator i të gjitha problemeve është moszbatimi i ligjit.
“Aty theksohet se nuk sundon ligji dhe nuk vjen në shprehje shteti i së drejtës dhe vetëm kjo fjali kur të analizohet mund të nxirren shumë përfundime. Kur nuk sundon ligji, atëherë vjen në shprehje kaosi, anarkia, vjen në shprehje diskriminimi, vjen në shprehje aparteidi ndaj shqiptarëve”- tha deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi.
Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE, përshëndeti vendimin e PDSh-së për t’u rikthyer në kuvend. Veprim që, sipas saj, ndihmon rikuperimin e dialogut politik, që paraqet një nga vërejtjet e KE-së.
“Dokumenti i vetëm që nënshkruam bashkë është memorandumi që nënshkruam të gjitha partitë politike të përfaqësuara në parlament, me të cilin morëm për obligim se në kuadër të institucioneve do të tejkalohen të gjitha sfidat përmes dialogut dhe me abstenim nga aktivitetet të cilat mund të dëmtojnë eurointegrimet”- u shpreh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Sivlana Boneva.
Ndërkaq, deputeti i PD-së, Pavle Trajanov, kërkoi nga qeveria t’i paraqesë kuvendit strategji për tejkalimin e kontestit rreth emrit, si një nga pengesat kryesore në procesin eurointegrues.
“Kurrë nuk u paraqitët si ministra të qeverisë këtu në parlament të tregoni cila është platforma jonë dhe strategjia se si të tejkalohet ky kontest, i cili njëzet e ca vjet e bllokon Maqedoninë në afrimin me Bashkimin e Evropian dhe anëtarësimin në NATO”- tha Pavle Trajanov nga PD.
Për deputeten e opozitës maqedonase, Roza Topuzova-Karevska, raporti i fundit është dokument për të cilin aktorët politik në vend, posaçërisht qeveria, duhet të mendohen mirë.
Shqyrtimi i raportit u shfrytëzua edhe një herë nga shumica parlamentare dhe qeveria, për të ftuar opozitën maqedonase që të kthehet në kuvend. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
