Vuçiq: Serbia humb një milion euro nga masat e Kosovës
Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të masave tregtare të Prishtinës...

Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të masave tregtare të Prishtinës, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
"Ne do të shohim se çfarë do të bëjë qeveria e re e Prishtinës, nëse do t'i heqë ato masa", tha Vuçiq gjatë një vizite në Novi Pazar.
I pyetur nëse është realiste që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë në fund të qershorit, Vuçiqi u përgjigj se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë, heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.
Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvendësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Kryeministri i ri, Abdulla Hoti, ka paralajmëruar se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
