Analistët: Dialogu politik nuk është vërejtja kyçe e Brukselit

21.10.2014 17:18

Kthimi i opozitës në kuvend, nuk luan rol të rëndësishëm në marrjen e datës për bisedime me BE-në nga Këshilli Evropian në muajin dhjetor, pasi sipas Raportit të Progresit, Maqedonia duhej të realizonte reforma të mëdha dhe përparim të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e çështjes së emrit.......

Kështu vlerësojnë analistët politik, Ismet Ramadani dhe Mersel Bilalli, të cilët shtojnë se kthimi i PDSH-së në punimet e kuvendit duhet të ketë kuptimin e vetë.

“Unë mendoj se PDSH kthehet në kuvend dhe kjo nuk është keq, është mirë, megjithatë deputetët vendin e kanë në parlament, mirëpo largimi dhe kthimi ndonjëherë duhet ta kenë kuptimin e vetë. Definitivisht opozita duhet të kalkulojë sa fiton jo vetëm opozita, por sa fitohet në përgjithësi në çështjet që janë shqiptare për t’u kthyer një parti politike, sepse kam përshtypjen që VMRO–DPMNE-ja ka qenë shumë më e interesuar që PDSH të kthehet në parlament dhe në atë interes të tyre duhet të lidhen edhe interesa të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.

“Pa dallimin e retorikës diplomatike nga diplomatë të ndryshëm, të cilët e përshëndesin kthimin, realisht nëse bisedoni, nuk e konsideroj ndonjë ndryshim rrënjësor, sepse të gjithë atë kthim e konsideroj të improvizuar, një farë montimi për opinionin dhe realisht, çështje kyçe për këtë moment sa i përket mangësisë së dialogut politik është mungesa e partisë maqedonase opozitare”- tha analisti politik, Mersel Bilalli.

Ramadani dhe Bilalli thonë se edhe në qoftë se LSDM do të kthehen në kuvend, sërish Maqedonia nuk ka arritur të bëjë reformat e duhura, sidomos rreth çështjes së emrit, që në dhjetor të presë ndonjë rezultat pozitiv nga Këshilli Evropian.

“Nëse është fjala për të marrë ose jo datën e bisedimeve pa marrë parasysh kthehet apo nuk kthehet LSDM-ja në parlament, shumë larg dhe definitivisht duhet të thuhet se Maqedonia nuk mund të marrë datë për bisedime në Këshillin Evropian të dhjetorit. Jam i bindur se ata do të luajnë në atë që sa më shumë minuse t’i shkruhen VMRO-DPMNE-së dhe në këtë të shfrytëzojnë shansin e vetë kur ata vlerësojnë dhe sigurisht se do të shkojnë deri në fund, të organizojnë zgjedhje me qeveri të zgjeruar ose me qeveri teknike”- u shpreh analisti politik, Ismet Ramadani.

“Pra, unë nuk jam shumë i shqetësuar për atë a kemi dialog politik apo jo, madje sikur të kemi dialog jashtëzakonisht të avancuar nuk ndryshon shumëçka, pasi koha është shumë e shkurtër, nuk kemi ndërhyrje serioze, në shumë segmente kyçe kemi kthim prapa. Çështja e emrit është çështje e cila shumë pak trajtohet seriozisht, madje jepen deklarata të cilat e kthejnë prapa gjendjen dhe gjithë kjo është një imazh për të cilin nuk do të duhet të jemi optimist nga Këshilli Evropian në dhjetor”- tha analisti politik, Mersel Bilalli.

Analistët, po ashtu vlerësojnë se Maqedonia duhet t’i marrë tepër seriozisht rekomandimet e Raport-progresit të fundit të KE-së për Maqedoninë dhe të fillojë të shënojë të arritura dhe reforma të dukshme në sferat ku BE ka dhënë kritika të ashpra për vendin. (Mefail Ismaili, TVM2)