Policia arrestoi 9 persona
Policia arrestoi nëntë ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe biznesmenë, të cilët dyshohet se kanë përvetësuar disa milionë dollarë, duke bërë pastrim parash dhe falsifikim të dhënash.........

Në mesin e të arrestuarve është edhe pronari i Kompanisë “Delikatesë”, ish-deputet dhe anëtar aktual i Këshillit Qendror të LSDM-së, Vanço Gjeorgjiev, si dhe një ish i punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, i dënuar me dënim me kusht në procesin gjyqësor për aferën “Pjesët e tankeve”.
Të arrestuarit në aksionin policor “Arsenal” akuzohen për marrjen e më shumë parave se sa që është e nevojshme gjatë servisimit të helikopterëve në Ukrainë, me çka e kanë dëmtuar arkën shtetërore për 2.77 milionë dollarë.
“Të akuzuarit, që të gjithë në lidhje familjare, kanë formuar një grup kriminal për t’u pasuruar. Gjatë periudhës nga viti 2004 deri në vitin 2009, në mënyrë të paligjshme kanë arritur të përfitojnë 2 milionë e 768 mijë dollarë, me shfaqjen e vlerës joreale për rregullimin e 6 helikopterëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Personat kanë vepruar në mënyrë të tillë, duke formuar dy firma të huaja, “Drvomak LTD Bllagoevgrad” në Bullgari, si dhe “KL Technoservises LTD Liveprul” në Britaninë e Madhe, me qëllim që organet kompetente të Maqedonisë të mos kishin qasje në transferimin e parave dhe aktivitetet e tjera të paligjshme”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Nga MPB-ja, informojnë se të arrestuarit dyshohen se pjesën shtesë të parave e kanë marrë nëpërmjet firmave të ndryshme jashtë vendit. Aktualisht, të arrestuarit janë nxjerrë para gjykatësit hetuese në procedurën paraprake në Gjykatën Penale në Shkup. (Sanije Kasami, TVM2)
