Qamili: Edhe në këtë konkurs do të ruhet përfaqësimi

21.10.2014 17:40

Edhe në konkursin e shpallur dje nga MPB për punësimin e 400 policëve do të respektohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve, deklaron numri dy i kësaj ministrie, Zemri Qamili.......

Ai, njëherit thekson se numri i përgjithshëm i shqiptarëve në MPB, përfshi policët apo administratorët, arrin në 19 për qind.

“Ne si MPB kemi mbajtur llogari për përfaqësimin proporcional të bashkësive etnike dhe asnjëherë nuk ka qenë e kontestueshme. Përfaqësimi i shqiptarëve në MPB është 19 për qind, po ne në vazhdimësi jemi duke punuar që kjo përqindje të rritet në MPB”- deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili.

Zëvendësministri Qamili, thotë se tanimë kandidatët e interesuar kanë filluar dorëzimin e dokumenteve për aplikim, ndërsa gjatë përzgjedhjes do të pranohen ata që janë më meritorë.

“MPB dje ka shpallur konkurs për pranimin e 400 policëve të rinj, të cilët nga sot kanë filluar t’i dorëzojnë dokumentet nëpër sektorët e MPB-së nëpër qytete. Ne si MPB kemi përcaktuar një metodologji me standarde më të larta për përzgjedhjen e kuadrove policorë dhe do të zgjidhen më meritorët”- tha Qamili.

Në konkursin e shpallur dje nga Ministria e Punëve të Brendshme për pranimin e 400 policëve, të drejtë konkurrimi do të kenë të gjithë personat e moshës deri në 25 vjet, të kenë shkollim të mesëm katërvjeçarë, të kenë aftësi psikofizike, si dhe të kenë gjatësinë trupore, meshkujt 175 centimetër, ndërsa femrat 165 centimetra.

Dokumentet duhet të jenë origjinale apo kopje të verifikuara tek noteri. Të gjithë kandidatët të cilët gjatë trajnimit njëvjeçar do të arrijnë rezultate sipas kritereve dhe do të përfshihet në mënyrë adekuate në rang listë, do të lidhin kontratë për punësim në MPB. (Afrim Tanallari, TVM2)