Filloi vaksinimi kundër gripit
Në Qendrën e Shëndetit Publik në Shkup, prej sot ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal......

Autoritetet shëndetësore thonë se vaksinimi të mbron nga të gjitha tipat e virusit që janë të pranishëm në hemisferën veriore.
“Këtë vit shfrytëzohet vaksina nga prodhuesi i njëjtë i vitit të kaluar. Është prodhuar në Gjermani, bëhet fjalë për “Fluareks vaksinë”, e cila të mbron nga tre lloje të viruseve, dy tipa të virusit A dhe një tip i virusit B. Në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore Shëndetësore për Hemisferën Veriore, pritet të qarkullojnë dy viruse”- deklaroi Liljana Llazarevska nga Qendra e Shëndetit Publik në Shkup.
Vaksinimi rekomandohet në bazë të indikacioneve klinike dhe epidemiologjike. Të gjithë personat e moshës mbi 60 vjeç, personat që kanë sëmundje kronike, kardiovaskulare, ose sëmundje të mushkërive, personat me imunitet të zvogëluar, ata që kanë probleme me metabolizmin, përfshirë diabetin, personat që kujdesen për fëmijë, personat që punojnë në kolektive të mbyllura etj.
Sipas mjekëve, sa më shumë qytetarë vaksinohet aq më i vogël është rreziku për t’u prekur nga gripi edhe ata që nuk janë vaksinuar. Brenda katër orësh janë vaksinuar rreth 140 pacientë, pjesa më e madhe e të cilëve janë vaksinuar edhe viteve të kaluara.
"Gjithmonë e kam ndjerë gripin, prej kur kam filluar të marr vaksinën, tanimë pesë vite me radhë nuk e kam ndjerë gripin”- tha një qytetarë.
“Ky është viti i të tretë, apo ndoshta edhe i katërti që vaksinohem, jam e kënaqur, kryesisht e pranoj për preventive”- tha një qytetare.
Qendra e Shëndetit Publik në Shkup, këtë vit është furnizuar me 5 mijë e 500 doza dhe bazuar në përvojën e kaluar, vlerësojnë se janë të mjaftueshme, pasi rëndom vaksinohen rreth katër mijë qytetarë. Çmimi i vaksinës kundër gripit sezonal është 400 denarë. (Gyltene Sinani, TVM2)
