Ademi: Apel USHT-së dhe studentëve të gjejnë zgjidhje
Studentët e FSHMN-së pranë USHT-së në Shkup, sot kishin takim me prorektorin për Arsim, Fehari Ramadanin.......

Ata vendosën t’i ndërpresin protestat, por nuk tërhiqen nga kërkesa që të mbeten në Shkup, me çdo kusht deri në përfundim të studimeve.
Ndërkohë, kryeministri, Nikolla Gruevski, deklaroi se nuk është i njoftuar me arsyen e protestave të studentëve të USHT-së në Shkup. Para disa viteve, ne si qeveri kemi promovuar studimet e disperzuara, që të mundet çdo studentë të studiojë me afër dhe më lirë, por në këtë rast nuk i di arsyet, kur do t’i dëgjoj dhe analizoj do të jap përgjigje, ka thënë Gruevski.
“Posa t’i kuptoj arsyet dhe sqarimin e tyre, do të jap komentin tim, në këtë moment nuk e kam të njohur motivin e tyre, arsyet se pse e bëjnë këtë. Në përgjithësi konsideroj se nuk është mirë të mbyllet, por para se të dëgjoj sqarimin e tyre nuk do të dëshiroja të jepja komente definitive”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Ndërkohë, ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, thotë se vendimet USHT-ja i merr në mënyrë autonome, por udhëheqësisë dhe studentëve u sugjeron të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.
“Unë do t’u kisha sugjeruar studentëve edhe udhëheqësisë së universitetit që të ulen, sepse janë të një shtëpie, të ulen dhe të diskutojnë për problemet e tyre dhe të sjellin vendim, i cili do të ishte vendim i përbashkët i tyre. Kuptohet, studentët kanë për obligim të respektojnë vendimet e institucionit ku ata studiojnë, por gjithashtu obligim edhe i udhëheqësisë së universitetit është që të bashkëbisedojë me studentët dhe t’u krijojë kushte të mira për studime”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ademi, gjithashtu njoftoi se bisedimet me SASHKU-n për kërkesat e arsimtarëve kanë vazhduar dhe shpreson se do të jenë konstruktive. Në bazë të Ligjit për Arsim Fillor dhe të Mesëm, ankesat e mësimdhënësve i kanë dërguar deri tek Këshillat Drejtues të Shkollave, të cilët do t’i miratojnë vendimet përfundimtare.
“MASH-i në këtë drejtim nuk ka asnjë kompetencë të shqyrtojë ankesat e mësimdhënësve. Do të kisha apeluar deri te Këshillat e Shkollave që sa më shpejt të japin vendimet e tyre”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Këto komente u dhanë me rastin e promovimit të 1 mijë titujve të rinj shkencor dhe profesional. (Flutura Latifi, TVM2)
