Vazhdon përkthimi i librave shkencorë

21.10.2014 18:09

Qeveria e Maqedonisë në katër vitet e ardhshme do të përkthejë rreth 200 libra shtesë në kuadër të projektit “Qeveria boton 1000 veprat më të mira nga universitetet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe”......

Këtë e bëri sot publike vetë kryeministri, Nikolla Gruevski.

“Projekti është duke shkuar mirë dhe ne do të shtojmë përpjekjen që gjatë viteve të ardhshme të përkthejmë plus 200 libra nga universitetet më prestigjioze botërore. Shpresojmë që trendi të vazhdojë dhe këto libra të jenë në shërbim të studentëve dhe stafit të universiteteve publike dhe atyre private, por edhe të të gjithë të interesuarve”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.

Edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, tha se  këto libra do të jenë bazë e mirë për çdo institucion në vend.

“Janë libra që shfrytëzohen me të madhe nga studentët dhe profesorët universitarë. Ky projekt do të përfundojë deri në fund të vitit, ndërkohë nga fillimi i vitit tjetër, fakultetit pedagogjik do t’i dhurohen 50 libra të përkthyera dhe kështu do të vazhdojë edhe në tre vitet në vazhdim”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

Projekti “1000 libra të përkthyera nga universitetet më prestigjioze botërore” do të vazhdojë të promovohet edhe më tej, pasi deri më tani janë përkthyer 897 libra nga gjithsej 1000. (Memedali Jusufi, TVM2)