Vdes shefi ekzekutiv i gjigantit të naftës “Total”
Kristof de Marzheri, shefi ekzekutiv i gjigantit të naftës “Total”, humbi jetën kur avioni mbi të cilin po udhëtonte u përplas me një makinë për pastrimin e borës në Aeroportin Ndërkombëtar të Moskës, “Vnukovo”.......

E derisa punonjësit e kompanisë janë të shokuar nga ngjarja, mësohet se pasuesi i tij në detyrë do të jetë një njeri brenda kompanisë. E vërteta e plotë për shkakun e aksidentit nuk është zbardhur ende, por aktualisht ngjarja po hetohet.
“Kutitë e zeza tashmë janë dorëzuar për hetim. Ekzistojnë versione të ndryshme për shkakun e aksidentit–gabimet në kontrolluesin e ajrit tek piloti dhe veprimet e shoferit të makinës për heqjen e borës. Por, për versionin e plotë jemi në ekspertizë. Aktualisht, hetimi i vetëm i konfirmuar është se shoferi i makinës për heqjen e borës ishte i dehur dhe ky është faktori kryesor në këtë aksident”- deklaroi përfaqësuesi hetimor, Tatyana Morozova.
Në një deklaratë për mediat, kryeministri francez, Manuel Vals, e cilësoi humbjen e tij si humbje në industrinë e Francës.
“Franca ka humbur një biznesmen lider që shndërroi Kompaninë “Total” në një gjigant botëror, një udhëheqës në industri dhe atdhetar. Suksesi i tij përfaqësonte Francën, jam i sigurt se të gjithë të punësuarit në Francë dhe jashtë vendit do të jenë tronditur sot”- tha kryeministri francez, Manuel Vals.
Ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi ngushëllimet e tij përmes një deklarate të lëshuar në Kremlin, ku citohet të ketë thënë: “Manzheri dha një kontribut të madh në përmirësimin e marrëdhënieve franko-ruse, por edhe më gjerë. De Marzheri ishte një prej mbështetësve më të mëdhenj të politikave ruse për energjinë që pas fillimit të konfliktit me Ukrainën”.
“Total” është kompania më e madhe në Evropën Perëndimore për përpunimin dhe tregtimin e naftës. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
