Përurohet renovimi i sallës sportive në Çegran

21.10.2014 18:20

Në vazhdën e promovimit të punëve të bëra gjatë verës, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, bashkë me udhëheqësit e disa institucioneve lokale dhe qendrore nga fshati Çegran, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës, sot promovoi rikonstruimin e sallës së sportit në shkollën fillore “Përparimi” në fshatin Çegran.....

Lëshimi në përdorim i sallës simbolikisht u bë me një ndeshje futbolli të zhvilluar ndërmjet nxënësve të shkollës “Përparimi”.

Investimet e tilla janë investim për ardhmërinë tonë. Fëmijët dhe të rinjtë e fshatit, në kushte të tilla do të largohen nga veset e rrugës, veset e këqija dhe do të merren me aktivitete sportive dhe kulturore, deklaroi para të pranishmëve kryetari Bejta.

Në sallën e sporteve është bërë lyerja e sallës dhe hapësirës deri te salla, lyerja e dyerve dhe dritareve, rregullimi i dritareve me plastikë, rregullimi i dyshemesë, instalimi elektrik dhe ndriçimi dhe rregullimi i nxehjes.

Komuna e Gostivarit për këtë projekt ka ndarë afro 10 mijë euro. (Lulzim Haziri, TVM2)