KE së shpejti draf versionin për RMV-në, Osmani: Konsensusi për BE-në, interes mbipartiak

08.06.2020 16:34

Gjatë dy ditëve të ardhshme pritet që të publikohet drafti i parë i kornizës negociuese....

Gjatë dy ditëve të ardhshme pritet që të publikohet drafti i parë i kornizës negociuese, që do t’u dorëzohet vendeve anëtare për shqyrtimin e saj në kuadër të trupave të Këshillit të BE-së.

Në kuadër të presidencës kroate, pritet version që do të përfshijë edhe qëndrimet fillestare të anëtarëve të BE-së, pas së cilës procesi do të vazhdojë në kuadër të presidencës gjermane.

Zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani thotë se është e rëndësishme  që edhe vendi të bëhet gati krahas BE-së, para mbajtjes zyrtare të mbledhjes së parë ndërqeveritare.

“Vlerësoj se ekzistojnë çështje rreth të cilave ne si shoqëri duhet të iniciojmë debat, të dakordohemi, që të përgatitur ta presim konferencën e parë ndër-qeveritare” – tha Zv.Kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Osmani bën  thirrje për konsensus politik dhe shtetëror, me pjesëmarrjen e koordinuar të Presidentit dhe  përfshirjen e të gjitha subjekteve politike në të cilat, siç tha ai, procesi i integrimit në BE duhet të jetë mbi interesat e partisë.

“Integrimet evropiane t’i ngremë si prioritetin më strategjik për vendin, me përfshirjen e plotë të përfaqësuesve politikë, pa dallim nëse vijnë nga pushteti apo opozita. Këtu po flas për kthimin e plotë të funksionalitetit të trupave parlamentare për mbykqyrje të udhëhequr nga opozita por eventualisht edhe formimin e trupave tjerë kompetent në bazë të ekspertëve” – u shpreh Osmani.

Edhe pse puna vazhdon pa ndërprerje, ende  nuk dihet përbërja e ekipeve negociuese. Osmani thotë se fillimisht me rëndësi është të sigurohet edhe mbështetja e opozitës për procesin dhe grupet mbikqyrëse parlamentare me rikthimin e Kuvendit.

Do të duhen disa muaj derisa korniza  negociuese të harmonizohet nga të gjitha shtetet anëtare e të mbahet konferenca e parë ndër-qeveritare, që do ta shënojë fillimin zyrtar të negociatave mes Maqedonisë së Veriut  dhe BE-së. (Naim Ramadani, TVM2)