Balla dhe Zgjedhjet, Shqipëri: PS propozon zgjedhje më 9 maj 2021

08.06.2020 19:03

Vetëm pak ditë pas konsensusit për reformën zgjedhore...

Vetëm pak ditë pas konsensusit për reformën zgjedhore, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i propozoi presidentit Meta që të marrë në konsideratë datën 9 maj 2021 për zgjedhjet parlamentare.

“Sipas ndryshimeve të reja të Kodit, zgjedhjet parlamentare do të jenë më 9 maj të 2021. Kjo është një ditë shumë e mirë, presidenti duhet ta mendojë dhe ta dekretojë këtë datë, pasi zgjedhjet e ardhshme mund të përkojnë me ditën e fitores kundër pushtimit nazifashist, apo siç njihet ndryshe Dita e Evropës” – tha Taulant Balla nga PS.

Me këtë deklaratë, socialistët i përjashtojnë kategorikisht zgjedhjet e parakohshme të kërkuara nga kryetari demokrat, Lulzim Basha.

Ky i fundit ka nisur përgatitjet për zgjedhjet, duke mbledhur strukturat e duke u shprehur i bindur se do t’i fitojë ato.

Ndërkohë, opozita parlamentare i kërkon shumicës socialiste që të ulen në një tryezë dhe të diskutojnë për reformën zgjedhore dhe dy kushtet e tyre, depolitizimin e administratës zgjedhore dhe listat e hapura, në të kundërt nuk do ta votojnë në Kuvend. (Luljeta Ndoka, TVM2)