Ohër, takim i drejtorëve për mbrojtjen e natyrës në EJL

21.10.2014 18:50

Strategji rajonale për mbrojtjen e mjedisit jetësor po përpunojnë ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve nga shtetet e Evropës Juglindore në takimin vjetor dyditor të drejtorëve të institucioneve për mbrojtjen e natyrës në EJL, që prej sot mbahet në Ohër.....

Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, tha se takimi ka për qëllim detektimin dhe inicimin e projekteve të përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe konfirmim të strategjisë me interes për shtetet e rajonit.

“Ministria dhe të gjithë sektorët e saj aktivitetet i orientojnë drejt detektimit të të gjitha problemeve nga kjo sferë jo vetëm në vend, por edhe në nivel rajonal dhe global, si dhe konfirmim të detyrave konkrete në drejtim të realizimit të strategjisë kombëtare për mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe direktivat dhe iniciativat që në këtë sferë i zbaton Bashkimi Evropian”- deklaroi ministri Ekologjisë, Nurhan Izairi.

Darij Krajçiç, drejtor i Entit për Mbrojtje të Natyrës i Sllovenisë, tha se Maqedonia posedon bukuri të rëndësishme natyrore, duke theksuar se ajo që duhet të punohet është në drejtim të valorizimit të saj, ndërsa pastaj të shfrytëzohet si potencial zhvillimor.

"Konsideroj se në Slloveni mirë kemi bërë në drejtim të mirëmbajtjes së mjedisit jetësor, përmes vendosjes së legjislativës së ashpër dhe ndërtim të institucioneve të fuqishme. Nuk ishte lehtë prej atje që luftonim me investitorët, por arritëm të krijojmë kushte dhe t’i imponojmë normal të cilat pamundësojnë realizimin e projekteve që nuk i përmbushin normat e parapara ekologjike"- tha drejtori i Entit për Mbrojtje të Natyrës i Sllovenisë, Darij Krajçiç.

Takimi në Ohër është takimi i parë i këtij lloji, i menduar si mundësi përmes këmbimit të përvojave më të mira, që të kontribuohet drejt përforcimit të institucioneve, ingerencat e të cilës janë mbrojtja e mjedisit jetësor.

"Secili nga shtetet ka përvojë pozitive, secili ka modelin e organizimit të mbrojtjes së natyrës, të gjithë ballafaqohemi me probleme të caktuara. E gjithë kjo do të prezantohet nga përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse në takim, me qëllim që të bëhet analizë për atë se në çfarë niveli është mbrojtja e natyrës në rajon, si dhe të konfirmohen aktivitetet për në të ardhmen"- tha drejtor i Zyrës Programore për EJL pranë Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, Boris Erk.

Në këtë takim u tha se "Natyra e ruajtur do të thotë edhe ekonomi stabile në rajon”. Zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton harmonizim të aktiviteteve të orientuara drejt mbrojtjes së natyrës dhe ato të orientuara drejt zhvillimit ekonomik.

Kjo nuk është lehtë e realizueshme, por kur bëhet fjalë për mbrojtjen e natyrës, sot duhet të mbahet llogari për zhvillimin ekonomik, ndërsa njëkohësisht kur punohet në zhvillimin ekonomik, është e domosdoshme të mbahet llogari për mbrojtjen e natyrës. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)