Botë

Një komb, një lidhje, përkujtohet Lidhja Shqiptare e Prizrenit

10.06.2020 10:59

Në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më frymëzuese...

Në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më frymëzuese, ditën kur u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së trojeve shqiptare.
 
Në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e mbarë trojeve dhe të vetë kombit tonë. Vizioni, fryma patriotike dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë, që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar. Lidhja e Prizrenit u përball me heshtjen e fuqive të mëdha për çështjen e shqiptarëve. Lidhja nuk jetoi gjatë, por aktet e saj janë të gjalla përjetë. Në mbarë trojet shqiptare sot mbahen një sërë aktivitetesh për këtë datë kaq të rëndësishme.