Botë
Shqipëri, 42 raste të reja me Covid 19, mes tyre 5 mjekë
10.06.2020 15:32
Ditën e sotme në Shqipëri janë regjistruar 42 raste të reja me koronavirus, një numër rekord...

Ditën e sotme në Shqipëri janë regjistruar 42 raste të reja me koronavirus, një numër rekord ky që nga fillimi i pandemisë. Edhe ditën e djeshme numri i të infektuarve me Covid-19 ishte shumë i lartë, pasi u shënuan 36 raste.Nga ISHP bëjnë apel që të shmangen grumbullimet masive, duke theksuar se përkeqësimi i situatës ishte i papritur dhe se ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të këshillave dhe rregullave.
"Sot është dita me numrin më të lartë të rasteve të reja. Në 24 orët e fundit janë kryer 311 testime nga të cilat janë konfirmuar 42 raste pozitive, përkatësisht, 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnje, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Durrës, Berat, Pukë, Shkodër.Rastet e Krujës janë qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore, ndaj ju bëjmë thirrje edhe njeherë që të shmangni grumbullimet masive në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit.Ne 24 orët e fundit janë testuar dhe ritestuar 80 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të prekur 5 personel, ndërsa janë shëruar 8 mjekë dhe infermiere.Vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana.Aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me Covid19. Është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive, njëri prej tyre në intubim. Ndërsa një pacient ka dalë nga intubimi falë punës së stafit mjekësor të spitalit infektiv.
Lajmi tjetër i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 të prekur nga Covid19 mes të cilëve 8 personel shëndetësor, duke e çuar në 980 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë."- tha Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik Shqipëri.
