Zgjedhjet Parlamentare, Zaev: Zgjedhjet të mbahen më 8 korrik
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se zgjedhjet mund të mbahen më 8 korrik....

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se zgjedhjet mund të mbahen më 8 korrik, ditë e mërkurë, nëse partitë politike dakordohen deri të shtunën përderisa zgjat gjendja e jashtëzakonshme. Në të kundërtën thotë Zaev zgjedhjet do të mbahen më 5 korrik, ditë e diel ashtu siç parashikon kushtetuta dhe ligjet.
“Nëse teoretikisht do të arrihej marrëveshje më 8 korrik, e mërkurë, atëherë do të bisedonim që të hënën dhe të martën të votojnë të sëmurët, të infektuarit, ose njerëzit në vetëizolim. Në të kundërtën sipas ligjeve parashikohet që votimi të bëhet të dielën, ndërsa të shtunën të sëmurët. Që e shtuna dhe e diela të bëhen, e hënë dhe e martë do të duhet të ndryshoni ligjet. Vetë ti prekim ligjet nuk është korrekte, kjo do të ishte e mundur vetëm nëse dakordohemi me opozitën.” – tha Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Janushev: 8 korriku, kundër kushtetues
Nga VMRO – DPMNE thonë se nuk duhet të kalkulohet me data për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë periudhë kur ka rritje të viktimave dhe të të infektuarve nga virusi pandemik.
“Në këtë moment kur kemi rritje të madhe të të infektuarve dhe viktimave, kalkulimi me data është kalkulim me jetën e njerëzve. Këtë nuk do ta bëjmë. Ata ftojnë në konsenzus pastaj vetë vendosin. Marrja e vendimeve të shpejta, do të shtojë krizat. Andaj marja e vendimit për zgjedhje më 8 korrik është jo kushtetues.” – u shpreh Sekretari i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Mexhiti: LSDM dhe VMRO të arrijnë konsenzus
Nga BDI ftojnë LSDM-në dhe VMRO-në në arritjen e konsenzusit.
“I bëjmë apel dy subjekteve më të mëdhaja maqedonase, janë shumë afër, ditë janë në pyetje të gjejnë një kompromis që të jetë një datë e zgjedhur me konsenzus që do të jetë një parakusht për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike nga ku do të del një qeveri kredibile për t’u marrë me proceset që pasojnë.” – deklaroi NënKryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Thaçi: Zgjedhjet të mbahen më 5 korrik
Për PDSH-në 5 korriku është datë e pranueshme për zgjedhje që të formohet qeveri dhe parlament funksional.
“Të kemi qeveri me kapacitete të plota të funksionimit dhe me gadishmëri për marrje të përgjegjësisë e jo një qeveri e cila dikush thotë ndryshe, dikush ndryshe, dikush i shan qytetarët se nuk i rrespektojnë masat, dikush don të bëj rejting që ti hapin xhamitë apo kishat. Nga gjithë kjo analizë ne kemi ardh në përfundim që data 5 korrik është data më e mirë për ti mbajt zgjedhjet.” – theksoi Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Zgjedhjet e 12 prillit u shtynë si pasojë e shfaqjes së virusit pandemik. Dy takime të liderëve tek presidentit nuk dhanë kurfarë rezultati për datë konkrete. (Meral Ismaili, TVM2)
