Kulturë
Ndërron jetë Silke Liria Blumbach
14.06.2020 10:39
Ka ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë poetja, anëtarja e Drejtorisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Silke Liria Blumbach....

Poetja Silke Liria Blumbach u lind më 13 dhjetor 1970 në Gottingen të Gjermanisë. Kreu gjimnazin ”Johanneum” në Hamburg, ndërsa më pas studioi përkthimin në Universitetin e Haidelbergut, ku diplomoi për frengjisht, anglisht dhe portugalisht. Gjuhën shiqpe e mësoi në mënyrë atodidakte. Në Haidelberg veproi në shoqatën “LiOff”. Punoi në KFOR-in gjerman në Prizren dhe në një kompani përkthimi në Berlin, deri në ditën e vdekjes (11 qershor 2020).
Botoi tre vëllime me poezi, një me proza të shkurta dhe një ditar në gjuhën shqipe, si dhe një vëllim me poezi në gjuhën angleze.
Vëllimin e parë me poezi “Dyzet vdekje në Sarandë” e botoi në Sh.b. “Naim Frashëri” në Tiranë, 1999, vëllimin e dytë “Karavela e fundosur”, në Sh. b. “Ditët e Naimit” në Tetovë, 2002, vëllimin e tretë “Lumi që rrjedh drejt burimit” në sh. b. “Ditët e Naimit” në Tetovë, 2007, librin me proza poetike “Një vit pas vdekjes sime” në Sh.b. “Ditët e Naimit” në Tetovë, 2017, librin "Ditari i një kthimi", Tiranë, 2010, ndërkaq vëllimin me poezi “Beyond the bos of the heart” e botoi në gjuhën angleze në SHBA. Silke Liria Blumbach përktheu në gjuhën shqipe për shtëpinë botuese të Festivalit, një numër të madh emrash të njohur të poezisë botërore si laureatët e Festivalit “Ditët e Naimit”, poetin amerikan Craig Czury dhe laureatin taivanez, Kuei-shien Lee, poeten koreanojugore, Moon Chung Hee, poeten indiane Nivedita Lakhera etj. Silke Liria Blumbach, gjithashtu, ka përkthyer nga gjuhë të ndryshme në gjuhën shqipe 15 antologji të Festivalit “Ditët e Naimit”.
Ajo ishte anëtare e Drejtorisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Tetovë, si dhe anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. U laurua me çmimin letrar të Festivalit Ndërkombëtartë Poezisë “Qiriu i Naimit” (2001). Poezia e saj është vlerësuar edhe me çmimin letrar për krijimtari “Naji Naaman” në Bejrut (Liban), (2003) dhe çmimin letrar “Flaka e janarit” në Gjilan etj. Poezia e saj është përkthyer në disa gjuhë dhe është botuar nëpër revista dhe antologji të ndryshme.
