Junker: Deri në 2019 nuk ka pranime të reja

22.10.2014 16:02

Asnjë nga shtetet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është e gatshme për anëtarësim të plotfuqishëm deri në vitin 2019........

Kreu i Komisionit Evropian, Zhan Klod Janker, përsëriti qëndrimin se nuk do të ketë pranime të reja në BE të paktën deri në vitin 2019. Kjo nuk ndodh për shkak të lodhjes së BE-së nga zgjerimi, por vlerësohet se edhe përkundër përshpejtimit të procesit të negociatave, vendeve kandidate u duhet së paku edhe pesë vjet.  

“Nuk dua t’i gënjej njerëzit dhe as popujt. Nuk duhet t’u krijojmë përshtypjen se vendet kandidate mund të bëhen anëtare gjatë 5 viteve të ardhshme. Nuk do të ketë anëtare të reja gjatë këtij mandati. Kjo gjë është e pamundur. Dua të përshëndes vendet kandidate për anëtarësim në BE, duke u thënë se negociatat do të përshpejtohen, por, realisht, ato nuk mund të mbarojnë deri në vitin 2019”- deklaroi kryetari i KE-së, Zhan Klod Janker.

Kreu i KE-së, tha se kjo nuk do të thotë se përpjekjet për zgjerim do ta humbin elanin dhe zjarrin e tyre.

Një ndër dëshmitë kryesore se procesi i zgjerimit mbetet një nga prioritetet e BE-së është edhe strategjia për zgjerimin e BE-së 2014/2015, si dhe ndarja e rreth 12 miliardë euro për zbatimin e reformave në vendet kandidate përmes fondeve IPA2.

Vendet kandidate dhe aspirante për anëtarësim në BE duhet të shfrytëzojnë periudhën pesëvjeçare për t’i zbatuar reformat, sidomos tre shtyllat kryesore: sundimin e së drejtës, menaxhimin ekonomik dhe reformat në Administratën Publike.

Veç kësaj, sfidë për vendet e Ballkanit Perëndimor në këto pesë vite mbeten tejkalimi i kontesteve dypalëshe dhe pastrimi me të kaluarën historike. (Valbon Bexheti, TVM2)