Botë

Takimi në Shtëpinë e Bardhë, Thaçi: Presim rezultate sepse ndërhynë SHBA-të

16.06.2020 12:44

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e 27 qershorit në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim amerikan, tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se është e përkushtuar që të marrë pjesë në këtë proces të negocimit.  Thaçi thekson  se përkushtimi amerikan është që nga procesi i dialogut,  të rezultojë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
 
“Qëndrimi i SHBA-së dhe ftesa për 27, për takim në Shtëpinë e Bardhë, rrit shpresën, optimizmin dhe besimin se ky proces do të ketë sukses. E para, pasi që ky proces e ka mbështetjen e qartë të SHBA-së, të vetë presidentit Trump si dhe këmbëngulësinë por edhe vizionin e ambasadorit Grenell. Uashingtoni e ka thënë qartë se ky proces, dhe kjo është thënë qartë në letrat që i ka dërguar vetë presidenti Trump, që ky proces është për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.”- tha Hashim Thaçi, president i Kosovës.
 
Daçiq: Zgjidhja për Kosovën të verifikohet në OKB
 
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha se Serbia do të kërkojë që një zgjidhje e ardhshme për çështjen e Kosovës të verifikohet në kornizën më të gjerë ndërkombëtare, në mënyrë ideale në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ku sipas tij edhe Kina dhe Rusia do të jenë në gjendje të shprehin qëndrimin e tyre. Kryediplomati serb, tha për “Veçernje Novosti” se Serbia duhet të fitojë legjitimitetin më të gjerë të mundshëm ndërkombëtar për zgjidhjen e ardhshme të çështjes së Kosovës, sepse vetëm kjo do të jetë një garanci për drejtësi dhe zgjidhje afatgjatë, e cila shpresojmë se do të jetë rezultat i kompromisit dhe respektim i interesave tona. 
 
BELINDA KOKA ADEMI