Raport-progresi, diskutohen vërejtjet për lirinë e mediave

22.10.2014 16:38

Një nga pjesët më të kritikuara në Raportin e Progresit, liria e mediave, ishte sot në qendër të një debati që zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, zhvilloi me shoqatat e gazetarëve.....

Zëvendëskryeministri, Besimi, pranon se vendi ballafaqohet me probleme serioze në fushën e mediave, por, sipas tij, qeveria nuk mbyll sytë para këtyre problemeve, por përkundrazi, ulet t’i zgjidhë ato.

“Ne nuk i injorojmë këto gjëra, përkundrazi, ulemi t’i zgjidhim. As nuk i minimizojmë se janë të thjeshta dhe të lehta. Duhet që bashkërisht të ecim hap pas hapi për të tejkaluar sfidat që i kemi përpara, që në fund të arrihet ajo që shkruan në kushtetutë dhe në kapitullin për mediat në Raportin e Progresit”- deklaroi zv.kryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.

Përfaqësuesit e organizatave të ndryshme të gazetarëve edhe një herë ripërsëritën vërejtjet e tyre, të cilat janë identike me ato të Progres-Raportit. Gazetarët edhe sot akuzuan qeverinë se përpiqet të vë kontroll mbi mediat përmes reklamave qeveritare dhe duke dënuar gazetarët.

“Maqedonia fatkeqësisht u bë një nga vendet e vetme në kontinentin e Evropës që për fjalë të shkruar, për tekst të vitit 2008, një gazetar është dënuar me 4 vjet e gjysmë burg. Ekziston shqetësim serioz se qeveria kontrollon mediat dhe institucionet publike, Maqedonia po humb betejën me lirinë e mediave”- tha drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski.

“Ligjet në Maqedoni, në përgjithësi asnjëherë nuk kanë qenë problem për sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave. Problemi qëndron në zbatimin selektiv të tyre, problemi është në sjelljen e institucioneve, llogaridhënien e tyre, transparenca dhe gatishmëria që në mënyrë joselektive të komunikojnë me mediat dhe opinionin, të komunikojnë me gazetarët”- tha Biljana Petkovska nga MIM.

Gazetarët dhe zëvendëskryeministri, Besimi, u dakorduan për një gjë sot. Debatet  duhet të vazhdojnë në të ardhmen dhe gazetarët duhet të paraqesin propozime konkrete se si të përmirësohet pasqyra e lirisë së mediave në Maqedoni, që është një nga vërejtjet e theksuara në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. (Afrim Tanallari, TVM2)