Maqedoni

Zgjedhjet e 15 korrikut votimi nga ora 07:00 deri në ora 21:00

16.06.2020 16:05

Votimi i zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut do të zhvillohet tre ditë duke filluar nga 13 korriku....

Sipas dekretit të qeverisë më 13 korrik votojnë personat që janë në karantinë shtëpiake për shkak të rezultatave pozitive nga testimi i Covid-19, si dhe personat që janë në vetizolim. Në komunat ku do të votojnë këta persona, varësisht nga numri i tyre, KSHZ do të formojë një ose më shumë këshilla të posaçëm zgjedhorë në përbërje prej tre punëtorëve shëndetësorë të cilët do të realizojnë votimin, ndërkaq partitë politike do të mund të emërojnë anëtarë të tyre në këto këshilla. 
 
Më 14 korrik votojnë personat e pafuqishëm dhe të sëmurët kronik. Votimi më 15 korrik nis në 7 të mëngjesit dhe do të përmbyllet në ora 21, dy orë më vonë nga koha e zakonshme e zgjedhjeve të kaluara kur vendvotimet janë mbyllur në ora 19. 
 
Filipçe: Partitë të respektojnë protokollet mbrojtëse
 
Ministria e Shëndetësisë angazhohet që të sigurojë maska, doreza dhe material shtesë mbrojtës, për të gjithë anëtarët e organeve zgjedhore si dhe mjet dezinfektues për çdo vendvotim. Fushata zgjedhore nis më 24 qershor dhe zgjat 20 ditë. Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe me apel deri tek të gjitha partitë politike të angazhohen për proces zgjedhor pa rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
 
“Pres nga gjitha partitë politike që të arrijnë konsenzus rreth mënyrës së realizimit të fushatës, ku do ti jepet përparësi vetëm aktiviteteve të cilat nuk do të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Kjo mund të arrihet vetëm nëse të gjithë u përmbahen masave të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse”, ka thënë Filipçe.
 
KSHZ materialin zgjedhor e dorëzon deri tek komisionet komunale zgjedhore më së voni 96 orë para ditës së votimit. Gjatë fushatës zgjedhore, radiodifuzerët që mbulojnë zgjedhjet do të mund të emetojnë 14 minuta reklamim të paguar politik në një orë program. Për dy partitë më të mëdha të pushtetit dhe të opozitës ndahen nga 6 minuta, ndërkaq partive me më pak deputetë, partive jashtparlamentare si dhe deputetëve të pavarur u dedikohen gjithsej 2 minuta.
 
MERAL ISMAILI