Çdo 75 sekonda, një grua humb jetën nga kanceri i gjirit

22.10.2014 16:55

Kanceri i gjirit është një sëmundje që mund të vihet nën kontroll nëse identifikohet në kohë.......

Po për këtë është e nevojshme të bëhen kontrolle të rregullta që në pubertet. Dhe më e rëndësishme, është e nevojshme që gratë dhe vajzat të dinë se ç’farë rreziku vjen nga kanceri i gjirit. Studentët e mjekësisë në bashkëpunim më fondacionin “Dauti”, kanë filluar një fushatë informuese për luftën kundër kancerit të gjirit.

“Është trup i tyre, është zgjedhja e tyre. Detektimi i hershëm i kësaj sëmundje do të thotë shërim. Në qoftë se informohen si detektohet, se çka do të thotë kanceri, si shërohet ai dhe në qoftë se ato marrin masa për ta zbuluar më herët sëmundjen të kontrolluar tek mjeku në mënyrë të rregullt, sipas predikimeve që i kanë bërë shkencëtarët e shumtë, kanceri i gjirit është 100 % i shërueshëm”- deklaroi studentja e mjekësisë në USHT, Elmedina Asani.

“Qëllimi i kësaj kampanje është vetëdijesimi i popullatës, pasi që ne si studentë të mjekësisë jemi të vetëdijshëm se stadet e para të kancerit të gjirit janë të shërueshme plotësisht, prandaj deshëm ta informojmë popullatën që të bëjnë kontrolle, të bëjnë analiza, të cilat do të mundësojnë një diagnostikim më të hershëm”- deklaroi studentja e mjekësisë në USHT, Rejhane Bajrami.

Studentët nuk do të mbarojnë këtu. Ata do të organizojnë edhe ligjërata me mjekë ekspertë më 24 tetor në kopshtin “Fidani” në Shkup dhe 29 tetor në ambientet e UEJL-së. Por edhe përkundër përpjekjeve të studentëve, qytetarët e anketuar thonë se nuk u kushtojnë shumë rëndësi kontrolleve për të parandaluar sëmundjen e kancerit në gji.

“Jo, deri më tani nuk kam bërë për fat të keq, por shpresoj që tash e tutje do të kem më shumë kujdes, sidomos pas këtyre aktiviteteve që i bëjnë studentët. Një falënderim i madh shkon për ata që mundohen t’i vetëdijësojnë qytetarët, e më shumë femrat, që të kujdesen për trupin e tyre, për shëndetin e tyre”- tha një qytetare.

“Jo, asnjëherë nuk kam bërë kontrolle, nuk kam pasur problem dhe nuk kam asgjë problem”- theksoi një qytetare.

“Kam bërë kontrolle viteve të kaluara, por tash nuk kam nevojë”- u shpreh një qytetare.

Çdo grua është potencialisht e rrezikuar për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Çdo vit, vetëm në Evropë zbulohen nga 321 mijë raste të reja të kancerit të gjirit, kurse 124 000 gra vdesin nga kjo sëmundje.

Nga kanceri i gjirit çdo vit në Maqedoni preken 800 femra. Muaji tetor është shpallur si muaji i luftës me kancerin e gjirit në vitin 1985. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)