Kuvend, ratifikohet marrëveshja me Serbinë për patentat

22.10.2014 17:06

Për të përmirësuar sigurinë në trafik dhe për të thelluar bashkëpunimin me Serbinë, Komisioni Kushtetues ratifikoi marrëveshjen me qeverinë serbe për njohjen e patentave për shoferë.......

Nga Ministria e Punëve të Jashtme vlerësojnë se me ratifikimin e kësaj marrëveshje do të shkurtohen procedurat në kalimet kufitare.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të përhapet rrjeti i marrëveshjeve të lidhura ndërkombëtare, për t’u përmirësuar siguria në trafik, si dhe të forcohet bashkëpunimi i ndërsjellë. Kështu do të kemi kontinuitet në marrëdhënie më të mira ndërfqinjësore”- deklaroi konsullja shtetërore në MPJ, Natasha Desoska.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, apeloi që Maqedonia të nënshkruajë marrëveshje të njëjta edhe me shtetet tjera fqinje, përfshirë edhe Kosovën.

“Dua të bëj apel deri tek përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme, që të lidhin marrëveshje të tilla edhe me shtetet e tjera fqinje, pasi që momentalisht kemi vetëm me Serbinë dhe Shqipërinë. Nëse ka mundësi të lidhin marrëveshje me Kosovën, Bullgarinë dhe mundësisht me Greqinë, sepse lëvizja e lirë, turizmi, tregtia me këto shtete fqinje është shumë e madhe, me çka do ta lehtësojmë lëvizjen edhe të qytetarëve tanë edhe atyre të huaj”- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Maqedonia, deri tani ka ratifikuar marrëveshje të njëjta me Shqipërinë, Malin e Zi, Italinë, Francën dhe Spanjën. (Sanije Kasami, TVM2)