BE: 1.3 milionë euro fonde për dialogun social
Zyra e BE-së në Maqedoni ka prezantuar projektin “Promovimi i dialogut social”, i cili ka për qëllim mbështetjen e dialogut mes qeverisë, punëdhënësve dhe organizatave sindikale.......

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, ka deklaruar se ky projekt si grand direkt është ndarë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës si organizatë e cila krijon, zhvillon dhe ndihmon në implementimin e standardeve ndërkombëtare të punës.
“Dëshiroj të shpreh falënderim ndaj BE-së për ndihmën financiare prej 1.3 milionë euro nga komponenta e katërt e IPA-fondeve të dedikuara për përparimin e dialogut social të vendit tonë. Partneriteti social është element kyç në zhvillimin e shoqërisë demokratike dhe element i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë në shtetin tonë, dialogu social si tregues kyç dhe i domosdoshëm në krijimin e marrëdhënieve të përgjithshme të partnerëve social është sfidë e përgjithshme dhe qëllim, por edhe përgjigje e situatës ekonomike dhe sociale”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Ambasadori evropian, Aivo Orav, u shpreh se dialogu social duhet të veprojë si urë mes njerëzve dhe institucioneve dhe t’i udhëheqë ligjvënësit drejt vendimit përkatës.
“Implementimi i dialogut social është i rëndësisë së veçantë për çdo shtet, përgjegjësitë për çështjet të cilat ai i përfshin nuk i përkasin vetëm qeverisë, por të gjithë aktorëve në shoqëri. Në këtë drejtim, dialogu social është një nga esencat e tregut evropian. Kultura dhe përparimet mes institucioneve, veprimtarive dhe sindikatave mund të sjellin prosperitet për të gjithë qytetarët, të krijojnë vende të reja të punës dhe të zgjidhen problemet”- tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, u shprehën të kënaqur nga përparimi i dialogut social në vend deri më tani, por shpresojnë se të gjithë partnerët e kyçur social do ta shfrytëzojnë projektin për pasurimin plotësues të kapaciteteve. (Mefail Ismaili, TVM2)
