Gjykata administrative konfirmoi 24 “kodoshë”

22.10.2014 17:29

Gjykata Administrative konfirmoi se 24 persona që ishin shpallur si spiunë të shërbimeve sekrete , vërtetë kanë qenë “kodoshë” të sistemit........

Edhe pse deri te kjo gjykatë janë drejtuar shumë ankesa nga funksionarë e ish-pushtetarë të cilët kishin ngritur padi kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Lustrimit, Gjykata Administrative hodhi poshtë ankesat për këta 24 persona, me arsyetimin se veprimtaria e tyre në shërbim të sistemit konfirmohet nga dokumentet origjinale.

Me këtë, gjykata vërtetoi vendimet për shtetasit, Vladimir Millçin, që aktualisht është kryetar i Fondacionit “Shoqëria e Hapur në Maqedoni”, Gjorgi Tonevski, Sefedin Haruni-ish-kryetar dhe deputet i PPD-së, Zoran Jovanovski, Kosta Ballabanov, Paskal Gilevski, Millovan Stefanovski, Bexhet Bexheti, Nikolla Jançevski, Trajko Batanxhiovski, se kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.

Komisioni për Lustrim është informuar se deri më tani nga personat e lustruar katër persona ishin larguar nga organet dhe institucionet ku kanë kryer funksionin publik. Ata janë: Trendafil Ivanovski, gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, gjykatësi, Dragi Bilevski, kryetari i Këshillit të Komunës së Bogovinës, Isak Ajruli dhe Faredin Miftari, drejtor i shkollës “Liria” në Komunën e Çairit. Pritet edhe heqja nga detyra e tre akademikëve, dy avokatëve dhe dy profesorëve universitar.