Erdhi dimri, të premten 0 gradë celsius

22.10.2014 17:49

Nxirrni doreza, shalla dhe kapele, sepse dimri po afrohet.......

Maqedonia, prej sonte do të kaplohet nga një valë e ftohtë që do të ulë ndjeshëm temperaturat. Reshje të shiut, mjegull dhe erë do të paraqiten që sonte në Shkup dhe disa qytete të tjera që shtrihen në lugina. Sonte, temperaturat do të ulen deri në 5 gradë celsius.

“Gjatë mbrëmjes pritet të fillojë ndryshimi i  kohës. Vendi do të kaplohet nga një valë e ftohtë dhe e lagësht, e cila do të vijë nga veriu  dhe do të na sjellë kryesisht mot me vranësira, të shoqëruara me reshje të shiut dhe mjegull. Në pjesët veriperëndimore pritet të ketë reshje që do të arrijnë në 23 litra ujë në metër katrorë”- deklaroi sinoptikania, Lena Jovanovska.

Ulja e temperaturave në zero gardë celsius dhe reshjet e para të dëborës  priten të fillojnë prej ditës së premte në viset malore. Këtë fundjavë, sinoptikanët paralajmërojnë një dimër të vërtetë, me temperatura të mëngjesit prej minus 3 deri në 3 gradë celsius dhe kjo ulje e temperaturave padyshim që ndikon në shëndetin tonë. Mjekët apelojnë të krijojmë imunitetin e mbrojtjes nga viruset sezonale. Kjo nënkupton se duhet të rritet konsumimi i lëngjeve dhe frutave.

“Kujdesje e personave, duhet të mos dalin kur ka mjegull në mëngjes, ose kur janë temperaturat e ulëta, gjithashtu duhet të vishen me rroba pak më të ngrohta sesa deri tani që janë veshur. Në rast se dalin jashtë shtëpive, duhet të vendosin një shall të hollë prej pambukut dhe të mbulojnë gojën dhe pasi kthehen në shtëpi, i njëjti shall duhet të lahet dhe ta kenë për ditën tjetër të pastër”- tha mjekja e përgjithshme, Sefjan Berati Belçishta.

Ndryshimi i kohës tashmë ka kapluar vendet e tjera të rajonit. Qytetarët e Kroacisë  mëngjesin e sotëm u zgjuan me borën e parë të stinës, trashësia e së cilës në disa  zona arriti deri në 2 centimetra. (Rexhep Qamili, TVM2)