Botë

Shqipëri, ende pa marrëveshje për reformën zgjedhore

18.06.2020 16:03

Aspak premtuese duket situata në Shqipëri, pas mosmarrëveshjeve të krijuara së fundmi për reformën zgjedhore...

Aspak premtuese duket situata në Shqipëri, pas mosmarrëveshjeve të krijuara së fundmi për reformën zgjedhore. Kryeministri Edi Rama nga fotlorja e parlemantit kërcënou Lulzim Bashën e Partisë Demokratike se do ta grisë marrëveshjen e nënshkruar në praninë e ambasadorëve.
 
"Mos na tundoni se për atë Zot, ajo është një marrëveshje që ka krijuar kushte pozitive për klimën, por për mua nuk është reformë, është një kthim mbrapa për funksion të faktit që Shqipëria të mos bëhet muhabet kafenesh lart e poshtë, por një fije peri e ndan nga grisja pasi këtë fije duhet ta ruajë mirë, se nuk e kemi për borxh që të shpifshin çdo ditë, pasi shumica e shqiptarëve as nuk e pëlqejnë atë marrëveshje dhe nuk i duan listat e mbyllura."- tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
 
Thirrjet ndaj dy opozitave Rama i bëri si replikë ndaj akuzave të deputetes Rudina Hajdari, e cila akuzoi dyshen Rama-Basha se kanë në plan të kthejnë vendin në diktaturë.
 
"Rama do të shkojë në pension politik, po i hapi listat. Por nuk e kuptoj atë lider opozite që do të rrijë sikur është, nuk e do votën e diasporës, depolizitimin e administratës. Edi Rama, ti gabohesh nëse mendon se ne jemi kartonë të votojmë atë reformë pa ndryshuar sistemin. Nëse ke ndërmend të shpallesh diktator mund ta bësh, nëse ke ndërmend, bashkë edhe me Bashën, thuaje, ne jemi bashkë dhe do të shpallim diktaturën."- tha Rudina Hajdari, deputete e opozitës.
 
Këshilli politik është mbledhur pasdite për të diskutuar cështjet e lëna pezull. Ende nuk dihet nëse palët do të reflektojnë pas kërcënimit që bëri kryeministri Rama këtë të enjte në parlament.
 
LULJETA NDOKA