Botë

Zgjedhje në Serbi, shqiptarët e luginës synojnë tre deputet

21.06.2020 16:30

Në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare...

Vendvotimet janë hapur në orën 7:00 dhe pritet të mbyllen në orën 20:00, ndërsa kanë mundësi që të drejtën e votës ta shfrytëzojnë mbi 6,5 milionë votues.

Qytetarët po votojnë për të zgjedhur parlamentin e ri prej 250 deputetësh, për përbërjen e re prej 120 anëtarësh të Kuvendit të krahinës autonome të Vojvodinës si dhe për pushtetin lokal.

Në tri komunat në luginën e Preshevës përkatësisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për herë të parë, partitë shqiptare garojnë në një listë të përbashkët.

Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, arritën marrëveshje për të shkuar me një listë zgjedhore në fillim të këtij viti. Përfaqësuesit politikë shqiptarë kanë deklaruar se synojnë të fitojnë tre deputet në Parlamentin e Serbisë.

Për zgjedhjet parlamentare në Serbi po votohet edhe në Kosovë, në 90 qendra të votimit. Këtë proces po e zbaton misioni i OSBE-së me lejen e autoriteteve kosovare.

Votat do të transportohen dhe numërohen në Vranjë e Rashkë – praktikë të cilën Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka vlerësuar jokushtetuese. Zgjedhjet në Serbi ishin caktuar të mbaheshin më 26 prill, por për shkak të virusit korona ato u anuluan dhe më pas u shtyn për 21 qershor. Sa I përket virusit në Serbia prej disa ditësh numri I të infektuarv arrinë në mbi 90 raste në ditë.

Komisioni Zgjedhor në Serbi ka rekomanduar qytetarët që në qendrat e votimit të shkojnë me maska mbrojtëse, të mbajnë distancën fizike dhe të dezinfektojnë duart para dhe pas votimit.