Goleadë në Champions League
Mbrëmja e së martës është shoqëruar me goleada në disa takime......

40 gola janë realizuar në 8 ndeshje ku spikatin fitoret e Bayern Munchen, Shakhtar Donetsk dhe Chelsea. Bayern ka shpërfytyruar Roman duke e mundur 7 – 1 në stadiumin “Olimpiko”.
Kaq shumë gola ekipi italian nuk kishte pësuar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni të marra sëbashku në kampionat dhe Champions. Lojtarët e Bayern kanë treguar forcën e tyre që në pjesën e parë kua realizuan 5 herë.
Të vetmin gol për vendasit e ka shënuar Gervinho në minutën e 66’. Me këtë triumf Bayern vijon kryesimin me pikë të plota pas 3 javësh. Në barazim është mbyllur takimi tjetër i Grupit E mes CSKA Moskva dhe Manchester City.
Anglezët nuk kanë mundur të ruajnë avantazhin e pjesës së parë, pasi rusët e kanë barazuar në të dytën. Në Grupin F, Barcelona ka mundur Ajax me rezultatin 3 – 1 shënuesi në këtë takim ka qenë edhe Messi.
Megjithatë Paris Saint Germain nuk e ka lëshuar vendin e parë duke fituar 1 – 0 në minutat e fundit me APOEL. Cavani ka qenë autori i golit të vetëm. Në Grupin G Chelsea ka qenë i papërmbajtshëm me Maribor duke arritur një fitore 6 – 0. Një rezultat i rëndësishëm për ekipin e Jose Mourinho që e mban në krye të renditjes.
Një sfidë plot gola ka qenë edhe ajo mes Schalke dhe Sporting Lisboa. Ekipi gjerman ka arritur një fitore të vështirë 4 – 3. Goli që vendosi fatin e ndeshjes u realizua në çastet e fundit me 11-metërsh. Shakhtar Donetsk ka vendosur edhe rezultatin më të thellë të mbrëmjes duke mundur BATE Borisov me rezultatin 7 – 0.
Një sukses që ka më tepër vlera pasi është arritur në fushë kundërshtare. Lojtari më i spikatur i sfidës ka qenë Luiz Adriano, autor i pesë golave. Shakhtar Donetsk ka vendosur edhe një rekord duke u bërë ekipi që shënon 6 gola në pjesën e parë të një ndeshje në UEFA Champions League.
Në ndeshjen tjetër të Grupit H, Porto ka mundur me rezultatin 2 – 1 Athletic Bilbao. Në TVM2 në mbrëmjen e sonmte do tw ndiqni takimin më tw rëndësishëm atë mes Liverpool dhe Real Madrid.
