Botë

Serbi, Vuçiç shpall fitoren në zgjedhjet e së dielës

22.06.2020 11:52

Në Serbi, Partia Përparimtare e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç...

Në Serbi, Partia Përparimtare e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, shënoi fitore të thellë në zgjedhjet e së dielës, të parat në Evropë që nga mbylljet e shkaktuara nga virusi korona tre muaj më parë. Komisioni i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve paraprake kjo parti ka fituar 63,35% të votave. Në vendin e dytë është Partia Socialiste e Serbisë, me 10.67% të votave. Në vendin e tretë Aleanca Patriotike serbe që  mori rreth 4% të votave. Për zgjedhjet në Serbi  është votuar edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë. . Një pjesë e partive opozitare bojkotoi zgjedhjet.Vuçiç shpalli fitoren e tij duke theksuar se ishte “jashtëzakonisht bindëse”. 

 
"Do të formojmë një qeveri që duhet të marrë vendime të rëndësishme me consensus të gjerë dhe me përkrahje të madhe sic morëm edhe në zgjedhje. Na duhet të tregojmë se mund të punojmë më shumë e më shpejt në rrugën tonë europiane për përmbushjen e refirmave. Nuk duhet të harrojmë mbështetjen e miqve tanë në luftën Kovid  dhe çdoherë kur integriteti ynë territorial ishte I rrezikuar.", tha Aleksandar Vuçiç, kryetar i Partisë Përparimtare.
 
Zgjedhjet në Serbi, Shqiptarët e Luginës arrijnë rezultat historik
 
Në zgjedhjet e se dielës për herë të parë, 5 parti shqiptare nga Lugina e Preshevës, morën pjesë në një listë të përbashkët. Sipas rezultateve paraprake Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar, fitoi rreth 1 për qind të votave dhe 4 vende në parlamentin serb.  Kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi pohoi për TVM 2 se kjo ishte arritja më e madhe.
 
“Ky është sukses, pasi kemi mundur që përmes katër deputetëve të jemi në mesin e pesë partive kryesore të parlamentit të Serbisë. Ka qenë procesi i unifikimit në mënyrë që të garohet. Unifikimi ka qenë me e rëndë se dita e djeshme. Republika e Kosovës, Lugina por dhe republika e Shqipërisë, është mundur që të unifikohemi. Qytetarët e kanë përshëndetur këtë koalicion. Arritja e partive shqiptare në zgjedhjet në Serbi është më surprizë për Vuçiç se sa rezultati për të. Ai preku temën në fjalë dhe për të ishte befasi. Kjo ishte arritje.”, tha Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës.
 
Presidenti I Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës dha rezultat. Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje. 
 
“Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë.”, shkroi Thaçi në Facebook. 
 
Euro komisari për Zgjerim Oliver Varhej deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë Serbisë. 
 
“Ditë e rëndësishme për Serbinë me zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Presim bashkëpunim me qeverinë e re në lidhje me reformat lidhur me BE-në. Të përkushtuar për ndihmë që Serbia të përparon shpejtë drejt anëtarësimit në BE dhe për ndihmë për mbështetje për dalje nga kriza Covid-19.”, ka shkruar Varhei.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI