Kosova do të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të vitit 2016 si shtet në vete
Nga ky vit, sportistët kosovarë do të jenë të barabartë me të tjerët në sportet olimpike......

Komiteti Olimpik i Kosovës pritet që këtë javë të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Burime të afërta me KOK-un kanë njoftuar se çështja e Kosovës do të diskutohet gjatë kësaj jave në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të KON-it, kur edhe në fund të saj do të pranohet.
Në këtë mbledhje të drejtë vote do të kenë 15 anëtarë, teksa shumica prej tyre janë pro pranimit të KOK-ut.
E njeriu më meritor për një sukses të tillë të komitetit kosovar, Besim Hasani, nuk ka dashur të pranojë ose mohojë këtë lajm.
Hasani theksoi se ka gjasa që tema e Kosovës të diskutohet në mbledhjen e kësaj jave ose në atë të dhjetorit, kur edhe mund të pranohet.
“Ne presim që të diskutohet për Kosovën në këtë mbledhje ose në dhjetor dhe mendojmë se kemi gjasa për t’u pranuar, ashtu siç e kam thënë edhe më parë”, u shpreh Hasani.
“Një gjë e tillë do t’i jepte fund pritjes përmbi 20-vjeçare të sportistëve tanë”, shtoi tutje kreu i KOK-ut, i cili mezi e pret mbledhjen e cila do të fillojë nesër, për ta shikuar fatin e Kosovës.
