Kulturë
Kumanovë edicioni i 28 i “Takimeve Poetike të Karadakut”
22.06.2020 15:49
Konform rekomandimeve për evente kulturore në kushte pandemie...

Konform rekomandimeve për evente kulturore në kushte pandemie, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, në teren të hapur në amfiteatrin e Gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë, organizoi edicionin e 28-të me radhë të manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”.
Në fjalën e tij Kryetari i Klubit, Fatos Rushiti, u shpreh se nuk janë pak plotë 28 vite që Klubi i shkrimtarëve kumanovarë, me plot vullnet dhe dëshirë mbledh shumë poetë e poete anembanë trojeve shqiptare, duke i dhënë tradicionalitet, ndjeshmëri e shije të lartë estetike rrjedhës së këtij manifestimi.
“Nuk jan pak 28 vite që të krijosh traditë, të punosh me profesionalizëm, me ndjeshmëri të lartë artistike e estetike, me tinguj të shoqëruar çdo here nga muzika, e që kanë marr vëmendje jo vetë Brenda vendit tona por “Takimet Poetike të Karadakut” kanë marr vëmendje edhe në hapsirat mbarkombëtare si në Shqipëri, Kosovë, Luginë të Preshevës por edhe Mal të Zi”, u shpreh Fatos Rushiti.
Juria, në përbërje: Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi dhe Selajdin Shabani, u përcaktuan për poezitë më të mira, të cilat u nderuan me Çmimin “Fadil Bekteshi”. Vendi i parë i takoi poetit korçar Skender Rusi me poezinë “Ditë pa mëngjes”, vendi i dytë poetit kumanovar që jeton dhe vepron në SHBA, Abdurrahman Thaçi, për poezinë “Nga të shkoj”. Ndërsa, në çmimin e tretë u vlerësuan poeti gjilanas Nijazi Ramadani për poezinë “Amaneti i nanës”, si dhe poeti kumanovar Kreshnik Sopaj për poezinë “Ana ime”.
Të përkujtojmë se tradicionalisht ky event kulturor mbahet më 11 mars, në shenjë nderimi të demonstratave të 11 marsit të vitit 1981, por sivjet përshkak të pandemisë së virusit Korona u shtynë për 21 qershor.
FATLUM AQIFI
