Kanadaja lufton terrorizmin

23.10.2014 14:42

Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, ka thënë se “Kanada nuk frikësohet” dhe se ajo do ta luftojë terrorizmin........

Këto komente ai i ka barë pas rastit të djeshëm, ku një person ka shtënë me armë zjarri dhe ka vrarë një ushtarë kanadez në memorialin e luftës afër ndërtesës së Parlamentit në Otava të Kanadasë.

Sulmuesi, i cili më pas ka hyrë në Parlamentin e Kanadasë, është vrarë nga policia. Kohën kur sulmuesi kishte hyrë në parlament, aty ishte edhe Harper, të cilin autoritetet e vendit menjëherë e largojnë, duke e dërguar në një vend të sigurt. Pjesë të kryeqytetit të Kanadasë janë bllokuar, derisa forcat e sigurisë po kërkonin edhe ndonjë person tjetër të dyshuar, të përfshirë në sulmet.

Më herët, në një konferencë për media, policia ka bërë të ditur se situata po vazhdon dhe mbetet e paqëndrueshme. Sipas mediave kanadeze, policia po kërkon një tjetër person me emrin Michael Zehaf-Bibeau, si të dyshuar për përfshirje në sulm.

Ndryshe, më 22 tetor, përveç në memorialin e luftës, të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar edhe në parlament dhe në një qendër tregtare. Është njoftuar për tre persona të lënduar. Ky incident vjen pas një dite, kur një tjetër ushtarë është vrarë nga një sulmues i konvertuar në mysliman.

Kanada, para pak kohësh ka rritur nivelin e sigurisë nga “i mesëm” në “të lartë”, nga sulmet e mundshme terroriste.