Maqedoni

Zgjedhjet parlamentare, OSBE/ODIHR nis misionin për vlerësim të procesit zgjedhor

23.06.2020 16:02

Një ditë para fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme....

Një ditë para fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 15 korrik, derisa partitë po bëhen gati për nisje të fushatës, Zyra e OSBE/ODIHR në Shkup e filloi misionin special për vlerësim të zgjedhjeve. ODIHR dje informoi se ka filluar me misionin special për vlerësim të zgjedhjeve, si vazhdimësi e monitorimit të procesit të zgjedhjeve që filloi me misionin për vëzhgim të zgjedhjeve që ishin paraparë për më 12 prill, por u shtynë për shkak të pandemisë me Covid-19.
 
“Misioni special për vlerësim të zgjedhjeve e ODIHR-it do të vazhdojë me vëzhgimin e procesit zgjedhor që filloi me misionin për vëzhgim të zgjedhjeve (MVZ) në zgjedhjet e mëparshme të caktuara të parakohshme parlamentare më 12 prill të vitit 2020, të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë së KOVID-19. Misioni do t’i vlerësojë zgjedhjet për harmonizimin e tyre me përpjekjet e OSBE-së dhe obligimet e standardet tjera ndërkombëtare për zgjedhje  demokratike, si dhe me ligjdhënien nacionale.”,- citohet në kumtesën e ODIHR-it.
 
Vëzhguesit do t’i ndjekin aspektet fondamentale të zgjedhjeve, siç janë regjistrimi i votuesve, regjistrimi i kandidatëve, aktiviteti në fushatë dhe mbulimi mediatik i fushatës, puna e administratës zgjedhore dhe organet relevante shtetërore, zbatimi i kornizës juridike si dhe zgjidhja e kontesteve zgjedhore. 
 
“Një ditë pas zgjedhjeve, ODIHR do t’i publikojë konkluzionet e tij preliminare për procesin zgjedhor dhe do të bisedohet për rrjedhat e tyre në konferencë për shtyp. Raporti përfundimtar me vlerësim të të gjithë procesit zgjedhor, i cili përmban rekomandime, të publikohet përafërsisht dy muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor.”,- shtohet në kumtesën e Zyrës së OSBE/ODIHR-it.  
 
Ditë më parë, delegacioni OSBE/ODHIR-it, i kryesuar nga shefja Laime Andrikine, kishte takim me anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në të cilin ishin shqyrtuar të gjitha aktivitetet të cilat do të ndërmerren që të mundësohet proces korrekt dhe demokratik, si dhe mbrojtje e të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje, duke i pasur parasysh rrethanat specifike të cilat i shkaktoi Covid-19.
 
ZEKIRJA MEXHITI