Moti, vërshime në disa vende evropiane dhe rajon
Vende të Evropës dhe rajonit janë përmbytur nga reshjet e shiut.

Në Serbi është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në 7 komuna, afër 700 shtëpi dhe rrugë rajonale janë përmbytur. Banorët kanë mbetur pa ujë dhe energji elektrike si dhe një numër i madh i tyre janë evakuuar.
“Kam qenë shumë e vogël kur kam përjetuar një katastrofë të këtillë dhe tani për të dytën herë e përjetoj të njëjtën gjë, shpresoj që penda të përballojë shtypjen e ujit dhe të jetë e qëndrueshme, ndryshe mund të ndodhë ndonjë katastrofë edhe më e madhe.”,- theksoi një qytetar.
“Po përballemi me këtë katastrofë, kanë ardhur zjarrfikësit, po të mos ishin zjarrfikësit do të ishte tmerr këtu, do të ishte akoma më keq, thjeshtë një katastrofë e madhe.”,- u shpreh një qytetar.
Gjithashtu dhe në Bosnjë e Hercegovinë reshjet e shiut shkaktuan rrëshira dhe vërshime të mëdha, në Orasje dhe Tuzla janë përmbytur shumë shtëpi dhe ndërtesa banimi. Ndërsa trafiku në rrugën magjistrale është bllokuar. Në pjesë të ndryshme të vendit është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
“Në mëngjes kur u zgjova kishte shi të rrëmbyeshëm, gjithçka ishte përmbysur, rrugët, komuna, katet e poshtme ishin të gjitha nën ujë.”,- theksoi një qytetar.
“Asgjë nuk ka vlerë, kot punoj, uji më mori gjithçka që pata.”,- tha një qytetar.
Janë përmbytur rrugët, objekte banimi, trafiku është bllokuar nga drunjtë e rrëzuar.
Edhe Varshava u godit nga një stuhi e fuqishme. Stuhia dhe vërshimet në Çeki sollën katër jetë njerëzish, gjatë operacioneve të pastrimit nëpër fshatra dhe qytete niveli i ujit ka filluar të bie, por edhe më tej vazhdon të jetë rrezik.
Vërshime ka edhe në Rumani në zona të ndryshme të vendit ka pasur shi të rrëmbyeshëm dhe stuhi të forta. Edhe sot është dhënë alarm i kuq meteorologjik në disa zona të Rumanisë.
Dhjetëra shtëpi janë përmbytur dhe shumë rrugë rajonale në Moldavi, ndërsa trafiku është bllokuar. Në Rumaninë Veriore me vështirësi të madhe zhvillohet trafiku hekurudhorë.
“Ne fillim u bllokua rruga, pastaj niveli I ujit rritej.”,- u shpreh një qytetar.
“Uji mori gjithçka që patëm, gjithçka është shkatërruar në shtëpi.”,- theksoi një qytetar.
Në pjesën tjetër të botës, vërshimet në Kinë morën tre jetë njerëzish,15.000 persona janë evakuuar, ndërsa stuhia e fuqishme ka shkaktuar rrëshqitje të tokës në provincën Gui Zhou, për shkak të nivelit të lartë të ujit 4000 njerëz janë evakuuar në qytetin Chi Jang.
Meteorologët paralajmërojnë stuhi të reja dhe shira të rrëmbyeshëm.
FARIJE DAUTI BAKIJU
