Rama: Serbia e ka njohur Kosovën edhe pse jo publikisht
Serbia duhet të kuptojë se Kosova nuk do të jetë kurrë brenda saj dhe sa më shpejt ta kuptojë këtë, do të jetë më mirë për vetë Serbinë dhe rajonin......

Deklarata vjen nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një intervistë për Agjencinë amerikane “Associated Press”.
Në prag të vizitës së tij në Beograd, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i bëri thirrje Beogradit që të rishqyrtojë qëndrimin mbi Kosovën.
“Serbia, sa më shpejt ta njohë zyrtarisht Kosovën, aq më mirë do të jetë. Unë besoj se ata e kanë njohur tashmë edhe pa një qëndrim zyrtar, pasi Kosova kurrë nuk do të jetë më pjesë e vendit të tyre dhe sa më shpejt ta pranojnë këtë, do të jetë më mirë për Serbinë dhe vetë rajonin”- tha ai.
Në një intervistë për “Asociated Pres”, kryeministri shqiptar ka komentuar edhe situatën delikate të krijuar mes Shqipërisë dhe Serbisë pas incidentit të 14 tetorit në Beograd.
Rama, është i bindur se agjenda e tij në Beograd muajin e ardhshëm nuk do të ndikohet nga kujtimet e një ndeshje futbolli. Rama, tha se një dron i lëshuar mbi stadiumin “Partizani” të Beogradit gjatë ndeshjes së kombëtareve nuk duhet të pengojë përpjekjet e të dy vendeve për të kërkuar anëtarësimin në Bashkim Evropian.
Vizita e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Beograd ishte planifikuar për të mërkurën, si pjesë e një përpjekjeje për të lehtësuar tensionet e trashëguara nga luftërat pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Por, udhëtimi u shty më 10 nëntor, pas degradimit në dhunë të ndeshjes së futbollit në Beograd, pas lëshimit mbi stadium të dronit me flamurin e Shqipërisë etnike.
“Shqipëria e Madhe është një mankth serb, jo një projekt shqiptar as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Ç’farë duhet të na bashkojë është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Ne duam një Evropë më të madhe, jo një Shqipëri më të madhe. Kjo është ajo ç’farë ne po luftojmë për të”- theksoi Rama për “Associated Press”.
Rama, thotë se gjatë takimit me homologun serb, Aleksandar Vuçiç, në Beograd, do t’i adresojë shqetësimet serbe mbi ndeshjen e futbollit, si dhe çështje të tjera të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve.
