UEFA: Të premten vendimi për ndeshjen Serbi-Shqipëri

23.10.2014 15:02

Vendimi i shumëpritur i UEFA-s nga opinioni shqiptar, por edhe ai në Serbi për ndeshjen Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre pas incidenteve në Beograd, është shtyrë për të premten.........

Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ka bërë të ditur se UEFA-s i është dashur edhe një ditë për të vendosur rreth ndeshjes.

Federata Shqiptare e Futbollit pretendon të marrë fitoren 3 me zero në tavolinë, pasi provat që ka paraqitur në UEFA e mbështesin ekipin shqiptar. Rastet e shfaqjes së racizmit, por edhe organizimi i dobët i palës pritëse, janë pikat e forta ku po mbështetet mbrojtja e Federatës Shqiptare.

Në dosje janë përfshirë edhe raportet mjekësore për gjendjen shëndetësore të futbollistëve shqiptarë pas trazirave. Nëse eventualisht nuk jepet fitorja në tavolinë, Federata Shqiptare e Futbollit ka paralajmëruar se do të kërkojë drejtësi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.