Botë
Aktakuza e Hagës për Thaçin dhe Veselin, reaguan Meta, Rama dhe Basha
25.06.2020 13:37
Pas publikimit të aktakuzës nga ana e zyrës së Prokurorisë Speciale..

Pas publikimit të aktakuzës nga ana e zyrës së Prokurorisë Speciale në internet, kanë reaguar dhe krerët e lartë shtetëror të Shqipërisë.
“Ne besojmë në pafajësinë e presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe të gjithë bashkë-luftëtarëve të tyre.”,- kështu reagoi presidenti shqiptar, Ilir Meta, në rrjetin social facebook. Ai shkruan: “Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”. Për presidentin shqiptar, lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë”.
Ndërsa kryeministri shqiptar, Edi Rama, u shpreh se do të jetë gjithmonë në krah të atyre që çliruan Kosovën e burgosur në ferrin e Millosheviçit.
“Qëkur kam marrë lajmin, shprehet Rama, për emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem por nuk arrij dot të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time”,- thotë Rama.
Edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, shkroi në Twitter: “Kam bindjen se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e tyre do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë. Asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor”.
