Hoxhaj e Bushati, pjesë e samitit në Beograd
Derisa vizita e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Serbi u shty për më 10 nëntor, dy ministrat shqiptarë për Punë të Jashtme, ai i Shqipërisë dhe Kosovës, Ditmir Bushati dhe Ever Hoxhaj, kanë zënë karriget në Konferencën e Ministrave të Ballkanit në Beograd, si vazhdim i Samitit të Berlinit, i iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel........

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hoxhaj, ka thënë se ndjen kënaqësi që është në Beograd për herë të parë pas 25 vitesh. Kjo tregon se sa e vështirë ka qenë rruga për të ardhur në Serbi prania e ministrave kosovarë në Serbi, veçmas e imja, si ministër i Jashtëm. Flet për progresin që është arritur në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Hoxhaj.
“Për mua është kënaqësi që jam sot në Serbi”- tha Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se kjo vizitë është një praktikë normale në të gjitha vendet evropiane. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për në Bashkimin Evropian ashtu si Serbia. Sipas tij, Shqipëria nxit Serbinë që të rishikojë kursin e saj në raport me Perëndimin.
“E kam thënë në disa raste, diferencat mes nesh dhe Serbisë janë ende shumë të mëdha, si për sa i përket objektivave në politikë të jashtme, harmonizimit të qëndrimeve tona me BE-në, përkatësisë sonë evropiane, si një vend anëtare e NATO-s, por nga ana tjetër besojmë që Serbia është një vend kandidat në BE, Shqipëria është një vend kandidat në BE, Serbia ka marrë “dritën e gjelbër” për të filluar bisedimet për anëtarësim, Shqipëria pret dhe po punon që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim. Ka një proces të iniciuar në Berlin, nën patronazhin e kancelares Merkel, që nxit një frymë tjetër bashkëpunimi mes vendeve të rajonit. Dhe në këtë kontekst, më duhet të them që jemi këtu për të dëshmuar që ngjashmëritë tona, apo pikat tona të përbashkëta, të punojmë për t’i zmadhuar në funksion të paqes, stabilitetit dhe perspektivës së qartë evropiane të të gjitha vendeve të rajonit dhe anëtarësimit të tyre sa më të shpejtë në BE, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara”- deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Konferenca është vazhdimësi e nismës për “Bashkëpunim të Përforcuar në Kuadër të Procesit të Stabilizim–Asociimit”. (Sanije Kasami, TVM2)
