Botë
Dështon dialogu në Uashington, Hoti dhe Grenell konfirmojnë anulimin
25.06.2020 17:37
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti...

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është detyruar që të anulojë udhëtimin e tij drejt Uashingtonit, pasi Prokuroria Speciale e Hagës ka ngritur aktakuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ndaj kreut të PDK-së, Kadri Veselit. Kryeministri i Kosovës nga Brukseli deklaroi se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka alternativë dhe se Kosova e ka maturinë e duhur institucionale për të kapërcyer çdo situatë me të cilën përballet dhe se pas vizitës në Bruksel do të kthehet në Prishtinë për t’u marrë me situatën në vend të krijuar pas aktakuzave.
“Unë në konsultim me ambasadorin Grenell i kam propozuar që ta shtyjmë këtë takim për një ditë tjetër për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditën e djeshme.”,- deklaroi kryeministri i republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.
Edhe i dërguari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e rikonfirmoi anulimin e takimit, duke theksuar se pret që takimi midis dy palëve të ricaktohet së shpejti.
“Faleminderit kryeministër Hoti. E kuptoj vendimin tuaj dhe ne presim që ta ricaktojmë takimin së shpejti”,- shkroi Grenell në një postim në Twitter.
Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka shpërndarë një lajm në profilin e saj në Twitter, me titullin “Gjykata e mbështetur nga BE, prish planet e SHBA-ve për samitin e Kosovës”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se është e nevojshme të vazhdohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga BE presin që vazhdimi i dialogut të ndodh në korrik.
GYLTENE SINANI
