Familja Jahja nga Dizhoni, ka nevojë për ndihmë
Nehire Jaja, kjo grua e përvuajtur nga lagja Dizhon e Shkupit, fillon rrëfimin e saj që nga vdekja e bashkëshortit, 6 vjet më parë, i cili ia la mbi supe përgjegjësinë për dy fëmijët jetim.........

Ajo, me dy fëmijët tani për tani jeton në shtëpinë që ua kanë lëshuar përkohësisht të afërmit, por në sytë e tyre shihet qartë pikëllimi nga vështirësitë e jetës dhe pamundësia e një nëne për të bërë më shumë për fëmijët e saj.
2000 denarë ndihmë sociale nuk i mjaftojnë as për bukën e gojës, aq më pak për t’u plotësuar nevojat dy fëmijëve, njëra nga të cilat ka filluar të shkojë në shkollë. Gjithë kjo situatë e zymtë dhe e parrugëdalje ndikon në jetën e fëmijëve, të cilët janë të privuar nga kënaqësitë dhe lojërat fëmijërore.
“Ka 6 vjet që më ka vdekur bashkëshorti, jetoj këtu me dy fëmijët, nuk është shtëpia ime kjo, na ka lëshuar kunati përkohësisht të rrimë këtu. Ky njëherë na ka lëshuar deri sa t’i rriten fëmijët, pastaj me pas dikush që na ndihmon, faleminderit Më ndihmojnë njerëzit nga pak, pastaj marr ndihmë sociale 2000 denarë, dikush për “Ramazan” na ndihmon andej nga të mijtë, nga familja ime s’kanë me më ndihmuar aq. Fëmijët më rriten, e kam futur vajzën në shkollë, me dy mijë denarë s’kam çka të bëj”- u shpreh Nehire Jaja nga lagja Dizhon e Shkupit.
Fëmijët janë të vegjël, akoma nuk i kuptojnë sakrificat e një nëne, e cila harron të dëshirojë për vete, duke i plotësuar nevojat dhe dëshirat e fëmijëve të saj.
“Pa kulm mbi kokë dhe me dy fëmijë të vegjël jetimë të përballesh me sfidat e vetmuar në jetë është e vështirë”- thotë Nehirja.
Kjo storie prekëse duket si një klithmë e pikëlluar që thërret për ndihmë, ndihmën e të gjithëve dhe duarve të zgjatura për bamirësisë. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
