Erdogan: Turqia lejon 200 kurdë irakianë të futen në Siri

23.10.2014 17:29

Forcat ushtarake amerikane kanë vazhduar edhe sot sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Kobani të Sirisë, bën të ditur Qendra Komanduese amerikane.......

Sipas kësaj qendre, gjatë të mërkurës dhe të enjtes, 15 sulme ajrore janë ndërmarrë kundër IS-it në Irak dhe Siri.

Deklarata e tyre thotë se forcat amerikane, me avionët e tyre bombarduese kanë ndërmarrë katër sulme afër kufirit në Kobani, duke shkatërruar një qendër kontrolluese të IS-it dhe po ashtu kanë rrënuar dy rafineri të naftës. Sulmet tjera janë zhvilluar në Irak, afër një burimi ujor në Mosul, me ç’rast kanë shkatërruar një automjet, pastaj në Bayji dhe në zonën Fallujah. Sipas Qendrës Komanduese, avionët e përfshirë në sulme janë kthyer pa probleme.

Ndërkohë, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka njoftuar se rreth 200 kurdë irakianë do të lejohen që të përdorin Turqinë si transit për të hyrë në Kobani të Sirisë. Erdogan, ka thënë se grupi sirian kurd, Partia e Bashkimit Demokratik, është pajtuar për këtë aksion. Në Kobani të Sirisë, i cili ndodhet në kufi me Turqinë, janë rreth dy mijë luftëtarë që po luftojnë militantët e IS-it. Më 22 tetor, Parlamenti irakian kurd ka miratuar propozimin për të dërguar luftëtarë kurdë në Kobani, për të ndihmuar që vendi të mos bie në duar të militantëve të IS-it.

Në ndërkohë, aktivistët e të drejtave të njeriut në Siri kanë bërë të ditur se sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj militantëve kanë rezultuar me vrasjen e 521 militantëve dhe 32 civilë në Siri. (Gyltene SINANI, TVM2)