Harper: Kanadaja vazhdon luftën me terrorizmin

23.10.2014 17:37

Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, pas vrasjes së një ushtari të Kanadasë të mërkurën nga një person i armatosur, afër parlamentit të këtij vendi, në kryeqytetin Otava, ka thënë se “Kanadaja nuk do të frikësohet” dhe do ta luftojë terrorizmin......

Vrasësi i dyshuar është vrarë pas këmbimit intensiv të zjarrit me policinë brenda ndërtesës së parlamentit. Incidenti ndodhi pasi Kanadaja, ditën e hënë e ka ngritur nivelin e kërcënimit terrorist, pas vrasjes së një ushtari tjetër, në një sulm nga një person i konvertuar në islamizëm.

“Ngjarjet e kësaj jave janë përkujtim i zymtë se Kanadaja nuk është imune nga llojet e sulmeve terroriste, që i kemi parë në gjithë botën. Po ashtu, na është përkujtuar se sulmet kundër personelit të sigurisë dhe në institucionet tona të qeverisjes janë për nga natyra e tyre e vërtetë, sulme në vendin tonë”- deklaroi kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper.

Raportet në media thonë se Policia e Kanadasë po zhvillon hetime për njeriun me emrin Michael Zehaf-Bibeau, si i dyshuar i mundshëm në të shtënat me armë zjarri, i cili është vënë në listën e “udhëtarëve me rrezik të lartë” dhe pasaporta e tij ishte konfiskuar.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Barack Obama, i ka dënuar të shtënat në Otavë si “sulme të tmerrshme” dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar.

“Ne ende nuk i kemi të gjitha informacionet lidhur me motivet e të shtënave, ende nuk i kemi të gjitha informacionet nëse kjo ishte pjesë e rrjetit ose planit më të gjerë, apo kemi të bëjmë me një individ, ose me një seri të individëve që kanë vendosur të ndërmarrin aksione të tilla”- tha presidenti amerikan, Barack Obama.

Kanadaja, këtë muaj i është bashkuar koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili po ndërmerr sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Asnjë grup islamik ose ndonjë tjetër nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Otavë, ose atë në fillim të kësaj jave. (Leunora Kaliqi, TVM2)