Maqedoni

Hapet kufiri pa kufizime, fluks veturash në pikën kufitare në Bllacë

26.06.2020 17:11

Prej mesnatës së të enjtes, kufijtë e RMV-së janë të hapura pa detyrim për test PCR dhe karantinë shtetërore...

Prej mesnatës së të enjtes, kufijtë e RMV-së janë të hapura pa detyrim për test PCR dhe karantinë shtetërore. Që nga momenti i parë qytetarët ju drejtuan me padurim pikës  kufitare në Bllacë me nxitimin për të parë familjet që nuk i kanë takuar gjatë kohë.

Edhe gjatë ditës kishte vetura të shumta në kufi. Qytetarët thonë se një vendim I këtillë është dashur të ndërmerren shumë më herët.

“Kjo është shumë mirë, sepse ne jena të lidhur edhe familjarisht, sidomos Kaçaniku, Hani i Elezit, Glloboçica dhe shpresoj që të gjithë qytetarët e kanë pritur këtë lajm shumë të mirë.”

“Është shumë mirë që janë hap kufijt, pa hapjen e kufijve ska komunikim të njerëzve. Ne kemi shok, kemi miq, kemi farefis. Një ndarje kaq e madhe shum e keqe”

“Është dashur prej moti të hapen kufijtë, domethënë si u hapn si nuk u hapën, numri vetëm po rritet. Nuk kemi kush e di çfarë familje në Kosovë ne por shkojmë barnat ti marrim në Kosovë se në Maqedoni janë më shtrenjtë barnat”, shprehen qytetaret.

Policia kufitare informon se vërehet fluks i dukshëm i qytetarëve që kanë lëvizur në të dy anët.

“Kemi vërejt një lëvizje pothuajse të mjaftueshme, si në orët e hershme të mëngjesit, duke pritur edhe për tu hapur pika kufitare. Ne deri në këto çaste, më saktësisht prej orës 00:00 deri në ora 12:00, kemi evidentuar gjithsej 4118 udhëtarë në hyrje dhe dalje të RMV-së. Në hyrje kemi evidentuar 2012, ndërsa në dalje kemi evidentuar 2106, që do të thotë se është numër i mjaftueshëm, ka lëvizje të mjaftueshme në këtë gjendje pandemie”, theksoi komandanti i pikës kufitare të Bllacës, Besim Hasani.

Mbetet detyrimi për respektimin e rekomandimeve për mbajtjen e pajisjes mbrojtëse personale, mbajte të distancës dhe dezinfektim të shpeshtë. Por për të udhëtuar pa test dhe karantinë nëpër vendet evropiane qytetarët duhet të presin edhe pak.

“Megjithatë me përjashtim të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Turqisë , ky detyrim mbetet për hyrje në disa vende në rajon dhe në vendet anëtare të BE-së. Për udhëtim në vendet anëtare të BE-së vlejnë udhëzimet e lëshuara nga KE-ja për hapjen e kufijve nga 1 korriku i këtij viti”

Nga 1 korriku do të hapet edhe aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit.

ERSAN PAJAZITI