Ahmeti: Në 2001 kundërshtova ndarjen e Maqedonisë
Shqiptarët dhe maqedonasit nuk duhet të mendojnë për ndarje, por të përqendrohen tek proceset integruese.......
Kështu është shprehur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një interviste që ka dhënë për emisionin “Opinion” në TV-Klan. Ndarjen e territorit të Maqedonisë, Ali Ahmeti thotë se e ka refuzuar prej momentit kur u propozua në vitin 2001, kur ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ky projekt i ndarjes, sipas Ahmetit, ishte artikuluar nga kryeministri maqedonas i kohës, Lubço Georgievski. Ai beson se ndarja do të ishte shumë e dëmshme për shqiptarët.
“Unë dhe shtabi i përgjithshëm nuk e kemi pranuar edhe pse oferta ka qenë në tavolinë, bëri prononcim kryeministri i asaj kohe, Lupço Georgievski. Sipas projektit të tyre, do të thotë që Tetova dhe Gostivari dhe vendlindja ime, Komuna e Zajazit, do t’i takonin Shqipërisë, bashkë me një pjesë të Dibrës edhe një pjesë e Likovës do t’i takonin Kosovës, kështu që shqiptarët, 250 mijë, do të mbeteshin larg këtyre hartave dhe duhej të shpërnguleshin 60 mijë maqedonas nga këto hapësira për në pjesën tjetër. Për mua kjo ishte shumë e dëmshme edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sa i përket ekonomisë së vendit, Ahmeti tha se ndryshe nga ç’farë besohet, investimet kapitale në Maqedoni bëhen në përpjesëtim me përbërjen e popullsisë së zonave dhe se nuk qëndron akuza se ka padrejtësi në shumicën e investimeve mes zonave shqiptare dhe maqedonase.
Ahmeti, gjithashtu ka folur edhe për rreziqet nga radikalizmi islamik në Maqedoni, duke shtuar se vendi po i menaxhon këto situata. “Në Maqedoni s’ka radikalizëm islamik, ndërsa ne distancohemi nga çdo ekstremizëm, qoftë ai edhe islamik, tha Ahmeti.
Ndryshe, ai ka premtuar se kur do ta anëtarësojë Maqedoninë në NATO, do të dorëhiqet përfundimisht nga politika, duke shtuar se kurrë nuk do të pendohet që s’ka pranuar ndarjen e Maqedonisë. (Naim Ramadani, TVM2)
