Automatizohen pikat pagesore

23.10.2014 18:10

Do të modernizohen pikat pagesore në korridorin 10 dhe do të instalohet sistemi elektronik i pagesave të taksave rrugore.......

Kompania e Turqisë  “ASELLSAN”, e ka fituar tenderin e Ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, e cila ka për detyrë t’i modernizojë pikat pagesore të Maqedonisë. Jo zyrtarisht,  nga Ministria e  Transportit dhe Lidhjeve mësojmë se ditëve në vijim do të nënshkruhet edhe kontrata ndërmjet kompanisë në fjalë dhe Ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”.

“Në periudhën 18 mujore pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryerësi i punimeve do të duhet të ndërtojë dhe ta vendosë në funksion sistemin e ri elektronik brenda afatit të paraparë me marrëveshje”- bëjnë të ditur nga Ministria e Transportit.

Sistemi i ri elektronik do të bëjë kategorizimin e makinave.

Pagesat e reja elektronike do të bëhen  në dy forma. E para është me transmetimin e valëve elektronike, të cilat do t’i kenë makinat tona të ngjitura në xhamin e përparmë. Ndërsa forma e dytë do të jetë me smart  kartelat  elektronike,  të cilat  në fillim do të mund t’i gjejmë nëpër pikat pagesore. 

Për veç kësaj, kompania turke do të ketë për detyrë t’i rekonstruojë  dhe zgjerojë pikat pagesore në Ramanli të Kumanovës, Petrovec, Sopot, Otovic dhe Gradsko.

Ky investim  kap vlerën prej rreth 18.7 milionë euro, prej të cilave 15 milionë euro janë siguruar nga Banka Evropiane për Ripërtërirje dhe Zhvillim, ndërsa vetëm 3 milionë euro janë siguruar nga buxheti  i shtetit. Me instalimin e modelit të ri elektronik, do të ulet dukshëm numri i punëtorëve dhe pagesa nuk do të bëhet me kesh, si deri më tani. Ende nuk dihet se ç’farë do të ndodhë me punëtorët në këto pika pagesore. (Rexhep Qamili, TVM2)