Botë

Mbi 10 milionë të infektuar, 5.5 milionë të shëruar e mbi 500 mijë viktima në botë

29.06.2020 11:49

Rastet globale me virusin korona kanë tejkaluar shifrën 10 milionë....

Rastet globale me virusin korona kanë tejkaluar shifrën 10 milionë. Sipas të dhënave zyrtare nga ueb faqja “Worldometer”, aktualisht në botë ka  10 milion e 249 mijë e 741 të prekur nga Covid-19. Numri mbarëbotëror i vdekjeve si pasojë e virusit ka arritur në 504,490, ndërsa numri i të shëruarve në mbi 5,5 milionë.

 
Në SHBA, ku janë regjistruar rreth një e katërta e viktimave në gjithë botën, disa shtete kanë rikthyer masat kufizuese, në përpjekje për të penguar përhapjen e sëmundjes. SHBA mbetet vendi më i goditur me mbi 2,6 milionë të infektuar, ndërsa numri i të vdekurve në këtë vend është mbi 128,437. 
 
Brazili, i cili ka numrin më të madh të rasteve me COVID-19 dhe vdekjeve në Amerikën Latine, ka numrin e dytë më të lartë të infeksioneve në gjithë botën, me 1,3 milionë raste. Në 24 orët e fundit në Brazil janë shënuar 30.476 raste të reja dhe  552 vdekje, në Meksikë ka 4.050 raste të reja dhe 267 vdekje, ndërsa në Indi ka 19.459 raste të reja dhe 380 vdekje në 24 orët e fundit. India radhitet në vendin e katërt në botë përsa i përket numrit të rasteve.
 
Rusia, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar janë gjithashtu ndër vendet më të goditura në botë. Rusia regjistroi 6.719 raste të reja ,  93 vdekje  dhe 4.343 të shëruar në 24 orët e fundit duke e çuar numrin total të rasteve në 641.156, ndërsa atë të të vdekurve në 9.166.Qeveria britanike paralajmëroi se mund të izolojë qytetin Llastër, për shkak të rritjes së numrit të rasteve atje, por tha se planifikon të rihapë restorantet dhe parukeritë më 4 korrik.
 
Koreja e Jugut, raportoi të hënën për 42 raste të reja . Në të gjithë vendin, që nga fillimi i epidemisë janë regjistruar 12 757 raste infeksioni dhe 282 vdekje. Qeveria është e gatshme të zbatojë masa më të fuqishme për distancimin fizik, nëse epidemia vazhdon të rritet.
 
Kina, vendi ku virusi u shfaq për herë të parë, ka regjistruar 83,512 raste deri më tani, përfshirë 4,634 vdekje dhe 78,460 të shëruar.